Botë

Plagoset Azem Vllasi, OAK: Sulmi, goditje ndaj sistemit të drejtësisë

13.03.2017 15:13

Avokati, Azem Vllasi, është plagosur me armë zjarri të hënën në mëngjes, në hyrje të zyrës së tij në Prishtinë...

Policia e Kosovës ka njoftuar se ai është qëlluar nga një person i paidentifikuar, i cili është larguar me shpejtësi nga vendngjarja. Avokati është dërguar për mjekim në Qendrën universitare të Prishtinës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Vetë Vllasi thotë se një person i ka rënë ziles së tij në orën 8 të mëngjesit, duke i thënë se është nga Gjermania dhe ka ardhur për një problem pronësor.
 
Vllasi i ka dhënë numrin e një tjetër avokati që merret me çështje të tilla, por në atë moment është sulmuar me armë me silenciator. Ai thotë se bëhet fjalë për një atentator të porositur, por hetimet do të tregojnë se cili është qëllimi i sulmit.
 
Vllasi thotë se nuk ka probleme me askënd. Për momentin nuk dihen arsyet e këtij sulmi me armë, por policia po heton për çështje të mundshme që ai kishte në shqyrtim. Kreu i Dhomës se avokatëve të Kosovës e ka cilësuar ngjarjen si një goditje ndaj sistemit të drejtësisë.
 
“Kjo është goditje në sistemin  e drejtësisë së Kosovës  dhe në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, që është synimi kryesor i krijimit të një shteti ligjor dhe funksional. Prandaj ne duhet të fokusohemi në këtë fushë dhe sigurisht se policia dhe organet që merren me çështjen e drejtësisë do të japin vlerësimin e tyre rreth zhvillimit të kësaj ngjarje, e cila e ka goditur edhe OAK-në, sepse kjo nuk është shenjë e mirë, nuk është lajm i mirë dhe sigurisht edhe për sistemin e gazetarisë në Kosovë nuk është i mirë”,- tha kryetari i Dhomës së avokatëve të Kosovës, Osman Havolli.
 
Për ngjarjen ka reaguar në rrjetet sociale presidenti Thaçi, që e ka cilësuar atë një akt të papranueshëm dhe të dënueshëm. Ka reaguar gjithashtu edhe Qeveria e Kosovës, e cila ka kërkuar zbardhjen e shpejte të ngjarjes.
 
Azem Vllasi është një person i njohur në Kosovë, edhe për shkak të kaluarës së tij si drejtues i Partisë Komuniste, ndërsa ka qenë edhe këshilltar i Hashim Thaçit në kohën kur ai ishte kryeministër.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI