Maqedoni

“Fortesa 2”, anulohet seanca, gjykatësja në pushim mjekësor

13.03.2017 16:04

Është shtyrë për më 5 maj seanca gjyqësore për lëndën “Fortesa 2”, pasi gjykatësja, Lidija Petrovska, ndodhet në pushim mjekësor...

Prokurorja speciale, Rençe Ristovska, informoi se Ministria e Punëve të Brendshme pozitivisht i është përgjigjur kërkesës së tyre për deklasifikim të dëshmive, por është ankuar për pengesa nga DSK.
 
“Arritëm që të marrim vendime pozitive për deklasifikimin e pjesës dërmuese të dëshmive. Detajet më të hollësishme do t’i shohim në seancën e radhës. Për më datën 5 maj është caktuar seanca e radhës. Edhe më tej kemi vështirësi në bashkëpunim me Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim”,- deklaroi prokurorja e PPS-së, Lençe Ristevska.
 
Në gjykim nuk ishin të pranishëm të akuzuarit. Avokatja e palës mbrojtëse, Sanja Aleks, tha se e kanë ditur që gjykatësja ndodhet në pushim mjekësor, pra ishte e qartë se gjykimi nuk do të mbahej. 
 
“Javën e kaluar mbrojtja kërkoi që të ketë qasje në lëndën dhe ishim të informuar se gjykatësi ka marrë pushim mjekësor, i cili supozojmë se do të zgjasë më gjatë. Edhe sot kur pyetëm, morëm të njëjtën përgjigje, ishte pra e qartë se nuk kishte kushte për mbajtjen e seancës dhe të akuzuarit nuk u paraqitën pasi kanë obligime të tjera”,- u shpreh avokatja e Mbrojtjes, Sanja Aleks.
 
I dyshuari kryesor në rastin “Fortesa 2” është ish-eprori i Drejtorisë së Pestë, Goran Grujovski. Bashkë me shtatë të akuzuar të tjerë të punësuar në DSK, ai ngarkohet për asgjësimin e mbi 2000 shkresave, prej të cilave 22 kanë të bëjnë me sistemin e përcjelljeve të komunikimit.
 
I akuzuari i parë, në këtë rast ish-drejtori i Drejtorisë së Pestë, akuzohet edhe në rastin “Fortesa 1”, që ka të bëjë me shkatërrimin e sistemit për përcjelljen e jashtëligjshme të komunikimeve.
 
NAIM RAMADANI