Maqedoni

Ivanov nuk ndërron mendje, LSDM kërkon mandatin, VMRO vazhdon akuzat

13.03.2017 17:15

Kandidati i shumicës parlamentare për mandatar, Zoran Zaev, nuk ia ka dalë të bind kreun e Republikës, Gjorge Ivanovin...

Kandidati i shumicës parlamentare për mandatar, Zoran Zaev, nuk ia ka dalë të bind kreun e Republikës, Gjorge Ivanovin, as me programin për punë të qeverisë së ardhshme, se kjo shumicë me këtë program nuk rrezikon unitetin, sovranitetin dhe pavarësinë e Republikës së Maqedonisë, siç pretendon presidenti.
 
Ivanov këmbëngul që Zoran Zaev, publikisht dhe qartë, ta hedhë poshtë dhe dënojë platformën, që ai e quan të Tiranës, me të cilën, sipas presidentit, vihen në pikëpyetje interesat themelore shtetërore të Republikës së Maqedonisë dhe qytetarëve të saj.
 
"Presidenti Ivanov mbetet në qëndrimin e parashtruar në fjalimin para qytetarëve të Republikës së Maqedonisë më 1 mars të vitit 2017. Pengesat për përcaktim të mandatit për përbërje të qeverisë akoma nuk janë larguar”,- thuhet në qëndrimin e Kabinetit të presidentit të Republikës së Maqedonisë.
 
“Pengesa e vetme për Republikën e Maqedonisë janë Gjorge Ivanov dhe Nikolla Gruevski”,- kundërpërgjigjen nga LSDM.
 
“E ftojmë Ivanovin që të mos e zgjasë në përpjekjen që të shpëtojë Gruevskin dhe kryesinë e VMRO-DPMNE-së nga përgjegjësia për krim dhe keqpërdorime, dhe menjëherë të ndajë mandatin për formimin e qeverisë së re reformuese të qytetarëve të RM-së”,- theksoi Petar Shilegov nga LSDM.
 
Sipas partisë së Zaevit, shumica dërmuese e votuesve zgjodhën ndryshime, drejtësi, unitet dhe program të qeverisë së re, e cila garanton unitaritetin, lirinë, demokracinë dhe barazinë e të gjithë qytetarëve. 
 
Edhe VMRO-DPMNE e ka përsëritur qëndrimin e saj, në harmoni me qëndrimin e presidentit.
 
Partia e Gruevskit sërish ka ftuar LSDM-në që të heq dorë nga, siç thonë, Platforma nga Tirana. Në këtë rast, VMRO ka ofruar mbështetje për Zaevin që të formojë qeveri të re.
 
“Tregtimi me interesat kombëtare është akti më i ulët dhe më i turpshëm. Zoran Zaev duhet marrë guxim, të dëgjojë popullin dhe të hedh poshtë shantazhimet. Nuk mundet tre nënshkrimet e Zijadin Selës të jenë më të rëndësishëm se identiteti maqedonas. Është e turpshme të bashkëpunosh me dikë që të mohon në fytyrë dhe të thotë se para 100 vite nuk keni ekzistuar”,- theksoi Liljana Zaturoska nga VMRO-DPMNE.
 
Si alternativë të dytë për të dalë nga kriza VMRO-DPMNE i sheh zgjedhjet e parakohshme, së bashku me ato lokale.
 
SHPËTIM NUREDINI