Rasti “Kumanova”, Avdiaj: Ndrecaj kontaktonte me funksionarë të lartë, Demiri: Duhej të merreshim vesh vetëm për MO-në
Hajrush Avdiaj dhe Lirim Demiri janë dy të akuzuarit e radhës në rastin “Lagja e trimave”....

Hajrush Avdiaj dhe Lirim Demiri janë dy të akuzuarit e radhës në rastin “Lagja e trimave”, të cilët dhanë dëshminë e tyre para trupit gjykues.
Hajrush Avdiaj tregoi se më 1 maj në Maqedoni kanë hyrë rreth 20 persona.
“Të nesërmen mbi ne fluturoi një helikopter. Pyeta pse rrimë këtu. Më thanë se do të takohemi me disa funksionarë ku do të flasim për të drejtat e njeriut në Maqedoni”,- deklaroi Avdiaj.
Ai sqaroi se me ditë të tëra nuk ka pasur mundësi të komunikojë me familjen e tij e as nuk ka mundur të dalë jashtë shtëpisë ku kanë qenë të stacionuar. Ai kujtoi rastin kur Valdet Zekaj dhe Demë Shehu ju kanë thënë Mirsad Ndrecajt, Beg Rizajt dhe Xhafer Zymberajt se kjo punë nuk është në rregull dhe se po e rrezikojnë veten, por edhe lagjen.
“Mirsad Ndrecaj tha se nuk ka hapësirë për shqetësim se gjendemi në “Lagjen e trimave”, është lagje shqiptare dhe se është në kontakt me funksionarë të lartë të shtetit. Krejt e dinë se jemi këtu dhe jemi të sigurtë”,- ka sqaruar Avdiaj.
“Siç dëgjuat edhe ju nga deklaratat e të akuzuarve, gjatë gjithë kohës përmendet mosimplementimi i marrëveshjes kornizë të Ohrit, nga tani më të ndjerit u është thënë që do të mbahet një preskonferencë për të informuar për atë që ata e kanë ditur, e ajo është implementimi i pjesërishëm i MO-së”,- theksoi avokati mbrojtës, Asmir Alispahiç.
Në dëshminë e tij, Lirim Demiri tha se testi për barot i ka dalë pozitiv, pasi ka qenë në vendngjarje, por ai këmbëngul se nuk ka qenë i armatosur. Para trupit gjykues sqaroi se si është planifikuar të dukej konferenca që është dashur të mbahej për Marrëveshjen e Ohrit nga “Grupi i Kumanovës”.
“Duhej të ishim si figura. Më thanë se do të vijnë gazetarë, përfaqësues të OSBE-së dhe atje do të merremi vesh për Marrëveshjen e Ohrit. Pyeta kush është kryesori, më thanë asnjëri prej nesh, por në Kumanovë na presin Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj”,- deklaroi Demiri.
Në seancat e radhës pritet të dëshmojnë edhe të akuzuarit e tjerë, e më pas do të vijojnë dëshmitarët e propozuar nga pala mbrojtëse. (Sanije Duraku, TVM2)
