Greva në hekurudhë dhe në Greqi, 130 ton mallra të bllokuara në Selanik
Protestat e bujqve në kufirin grek si dhe greva e punëtorëve....

Protestat e bujqve në kufirin grek si dhe greva e punëtorëve të hekurudhave të Maqedonisë i shkaktuan dëme të mëdha kompanive vendore.
Rreth 130 mijë ton mall nga Maqedonia ishin të bllokuar në portin e Selanikut si pasojë e bllokadës 19 ditore e bujqve në Greqi dhe grevës 14 ditore të hekurudhave të Maqedonisë, të cilat dëmtuan ekonominë e vendit në një shumë e cila deri më tani mbetet ende e panjohur.
Kryetari i Asociacionit të Transportit të Maqedonisë theksoi se e mira në këtë situatë ishte vendimi i Këshillit drejtues të portit të Selanikut që kompanitë vendore të mos paguajnë gjobë si dhe pret që situata të përmirësohet në të ardhmen pas përfundimit të procesit të privatizimit të portit të Selanikut.
“Të gjithë i ndjejmë pasojat e bllokadës. Nga ana greke ka paralajmërim për dhënien e portin të Selanikut nën koncesion global dhe privat, ndërsa është shpallur edhe liberalizimi i transportit hekurudhor. Kjo do të jetë mirë dhe do të kontribuojë në masë të madhe për të ulur distancën ekonomike ndërmjet portit të Selanikut dhe tregjeve në vend”,- deklaroi kryetari i Asociacionit të Transportit, Ivan Petrovski.
Oda Ekonomike e Maqedonisë gjatë kësaj jave do të organizojë tribunë, ku përfaqësues të më shumë sferave do të deklarohen për dëmet e shkaktuara si dhe gjetjen e zgjidhjeve për ballafaqim me situata të ngjashme.
Në këtë tribunë do të tregohet rëndësia e korridoreve 8 dhe 10 për Maqedoninë, që nga Shoqata energjetike pranë OEM-së thonë se kanë pasur shumë vështirësi për të furnizuar Maqedoninë me mallra dhe derivate të naftës në kushte kur mungojnë cisternat dhe transporti hekurudhor. (Gazmend Kurtishi, TVM2)
