Debat, “Identiteti evropian dhe ardhmëria e Ballkanit”
Zgjidhja e kontestit rreth emrit edhe më tej mbetet pengesë kyçe për anëtarësimin e Maqedonisë në Unionin Evropian. Maqedonia duhet të arrijë kompromis, thonë zyrtarët e lartë të Diplomacisë Austriake…...

Zgjidhja e kontestit rreth emrit edhe më tej mbetet pengesë kyçe për anëtarësimin e Maqedonisë në Unionin Evropian. Maqedonia duhet të arrijë kompromis, thonë zyrtarët e lartë të Diplomacisë Austriake.
Maqedonia, si çdo vend tjetër që ka aplikuar për anëtarësim, duhet të pranojë rregullat e klubit nëse do të arrijë qëllimin, thotë Johannes Kyrle, ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Austrisë.
Ndërkaq, ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski, tha se Maqedonia është e përgatitur për anëtarësim, por Evropa duhet të ndihmojë në tejkalimin e kontesteve për të ruajtur kredibilitetin. “Vlerësoj se është me rëndësi që të ndajmë vështrimet që janë relevante për ruajtjen e kredibilitetit, në kontekst të rolit të Evropës, në tejkalimin e kontesteve, pajtimit në rajon dhe nxitjen e ndërtimit të identitetit evropian”, deklaroi ministri i Jashtëm, Nikolla Poposki.
“Është lehtë të fajësosh Unionin Evropian, por Unioni Evropian është union i 28 vendeve dhe çdokush që do të anëtarësohet në Unionin Evropian, duhet të merr pëlqimin e çdonjërit nga 28 vendet anëtare, përmes zbatimit të procedurave të parapara për anëtarësim. Po, e theksoj edhe një herë, ju duhet të arrini kompromis”, - tha ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Austrisë, Johannes Kyrle.
Por, nuk është vetëm çështja e emrit problem për anëtarësimin e vendit në Unionin Evropian, ish-drejtori politik i Ministrisë së Jashtme të Austrisë, Shtefan Lehne, thotë se Maqedonia ka deficit të demokracisë edhe në politikën e brendshme.
“Nuk jam i kënaqur as me situatën në politikën e brendshme. Ka një deficit në klimën publike. Duhet më shumë dialog politik. Nuk është normale që opozita nuk është në Parlament. Nuk është normale që presidenti nuk njihet nga një parti politike. Unë mendoj se ka shumë punë për t’u bërë”, theksoi ish-drejtori politik i Ministrisë së Jashtme të Austrisë, Shtefan Lehne.
Integrimi i Ballkanit Perëndimor në përgjithësi dhe integrimi i Maqedonisë në veçanti, ishin temë e Konferencës Ndërkombëtare për Identitetin Evropian dhe të ardhmen e Ballkanit. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
