Maqedoni
Strasburg, PE anulon votimin e rezolutës për Maqedoninë
14.03.2017 12:42
Parlamenti Europian nuk do të votojë rezolutën për Republikën e Maqedonisë lidhur me raportin e progresit të Komisionit Europian për vitin 2016...

Eurodeputetët vendosën që ta anulojnë votimin të paktën për muajin e ardhshëm, për shkak të krizës së vazhduar politike në vend.
Paraprakisht, burime të ndryshme të Europarlamentit lanë të kuptohet se gjendja status-kuo në Maqedoni do t’i detyrojë ta anulojnë votimin për rezolutën të cilën paraprakisht e votoi Komiteti për Çështje të Jashtme i PE-së. Por, dje edhe zyrtarisht u bë e qartë se Maqedonia do të duhet të presë edhe më gjatë për raportin e saj prej shtëpisë ligjdhënëse europiane.
Në paralajmërimin për temat për të cilat eurodeputetët do të votojnë në "seancën plenare", që kësaj jave e kanë në qytetin francez, u gjet vetëm rezoluta për Malin e Zi, ndërsa Maqedonia, Serbia dhe vendet e tjera kandidate do të presin për mendimin e Parlamentit Europian.
Në rezolutën e miratuar paraprakisht në të ashtuquajtur grupi “Afet” i europarlamentit, Maqedonia e mori rekomandimin e tetë me radhë për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, por e kushtëzuar me plotësimin e plotë të marrëveshjes së Përzhinës dhe për prioritetet urgjente reformuese të KE-së.
