Maqedoni

ITShKShM, konferencë shkencore “Kalendari popullor”

14.03.2017 16:00

Me rastin e shënimit të festës së vjetër pagane, Ditës së Verës, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup...

Me rastin e shënimit të festës së vjetër pagane, Ditës së Verës, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup organizoi tribunën shkencore të titulluar “Festat e kalendarit popullor”. Manifestimi ka për qëllim afirmimin e traditës dhe kulturës shqiptare, u tha gjatë prezantimit të punimeve shkencore në konferencë nga studiues të shumtë të kësaj lëmie.
 
“Jam i bindur se puna jonë do të reflektojë që këto data, dhe kultura jonë materiale dhe shpirtërore do të konservohet dhe do të prezantohet si opinionit të këtejmë ashtu edhe atij botëror, që është një reflektim pozitiv që edhe gjeneratat e reja të angazhohen dhe të orientohen për të studiuar dhe për të argumentuar prezencën tonë që nga antikiteti deri në ditën e sotme”,- deklaroi drejtori i ITShKShM-së, Skender Hasani.
 
“Ministria në këto dy tre vitet e fundit i ka dhënë një kontribut të veçantë pikërisht këtij Institucioni, e vetëdijshme se Instituti bën punë dhe aktivitete kolosale në drejtim të afirmimit të kulturës dhe vlerave tona. Me gjithë potencialin tonë, këtë konstalacion të ngjarjeve, ne do të përpiqemi me financa dhe projekte shumëdimensionale të mbështesim aktivitetet hulumtuese shkencore të këtij Institucioni”,- deklaroi sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi.
 
“Në këtë mënyrë po kontribuohet dukshëm në promovimin e vlerave shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë. Dita e Verës vetëm  është pjesë përbërëse e regjistrit të vlerave kulturore që vetëm ka hyrë në  këtë regjistër dhe troket në derë, edhe karnevali i Bozovcës dhe Shën Gjergji janë bërë pjesë përbërëse e regjistrit të festave që duhet të mbrohen me ligj nga ana e shtetit”,- u shpreh profesori, Izaim Murtezani.                                                                                                                                        
Dita e Verës është festë me origjinë pagane, në nderim të natyrës dhe paraqet fillimin e vitit të ri sipas kalendarit të lashtë ilir, shumë shekuj para se të lindte krishterimi. Shenja dalluese e këtij festimi është gatimi i Ballokumeve, apo ndezja e zjarreve me qëllim të t’i jepet forcë diellit. Dita e Verës vazhdon të festohet edhe sot. 
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI