Holanda nesër në zgjedhje, fushata plot retorikë anti-islamike

14.03.2017 16:08

Zgjedhjet parlamentare të së mërkurës në Holandë zhvillohen nën hijen e zënkave me Turqinë....

Zgjedhjet parlamentare të së mërkurës në Holandë zhvillohen nën hijen e zënkave me Turqinë.

Kryeministrit, Mark Rutte, ky konflikt i erdhi si dhuratë zgjedhore para votimeve të nesërme, pasi i jep mundësinë të tregohet një lider i fortë e i palëkundur sa i përket çështjes së emigrantëve myslimanë.

“Ne vendosëm vijën e kuqe”, ishte deklarata e tij pasi dy ministrave turq iu ndalua fushata në Holandë.

Por, edhe pse arriti ta nxirrte vendin nga kriza, ekonomia u rrit me 2 për qind dhe papunësia është në kuotën e ulët të 5 përqindëshit, kryeministri nuk është shumë i preferuar mes holandezëve për shkak të disa premtimeve të pambajtura, siç ishte ai i shtimit të shërbimeve sociale.

Edhe politikani i ekstremit të djathtë, Uilders, është i bindur në fitore. Retorika anti-islamike dhe euroskeptike e tij ka qenë muzikë për veshët e shumë holandezëve të shqetësuar nga kriza e emigrantëve, kërcënimi terrorist në Europë dhe telashet e vazhdueshme të Eurozonës. 

Turqia, ndërkohë, hodhi poshtë thirrjet e zyrtarëve të lartë të BE-së për të treguar vetëpërmbajtje në mosmarrëveshjen me Holandën.

Ministria e Jashtme turke i përshkroi si të “pavlera” apelet e shefes së Diplomacisë europiane, Federica Mogherinit dhe komisionerit të Zgjerimit, Johanes Hahn, ndërsa e konsideron të rëndë faktin që BE-ja po mban, sipas saj, anën e qeverisë holandeze. (Gazmend Rexhepi, TVM2)