Maqedoni
DHP - tatimet vjetore, nesër skadon afati, sportelet të stërmbushura
14.03.2017 16:31
Kanë mbetur më pak se 24 orë për paraqitjen e të ardhurave shtesë në Drejtorinë e të Hyrave Publike...

Meqë shumë qytetarë kanë pritur afatin e fundit, këtyre ditëve vërehet rrëmujë dhe pritje të gjata para sporteleve të DHP-së.
“Ka rrëmujë, për shkak se e kemi pritur ditën e fundit. Unë pres 15-20 minuta”,- theksoi një qytetar.
“Sinqerisht ka shumë njerëz që presin për të dorëzuar tatimet vjetore, por si zakonisht ne jemi fajtorë për shkak se kemi shprehi t’i lëmë punët për ditën e fundit”,- u shpreh një qytetar.
“Erdha të dorëzoj tatimin vjetor. Ka pak pritje, por fajin për këtë e kemi ne, se nuk u mësuam që në kohë t’i kryejmë obligimet tona ligjore”,- tha një qytetar.
“Isha jashtë shtetit, prandaj nuk arrita më herët të dorëzoj kërkesën e tatimit vjetor”,- potencoi një qytetar.
Në sportelet e Drejtorisë së të Hyrave Publike deri tani kanë arritur mbi 360 mijë kërkesa, ndërsa pritjet janë që ky numër të arrijë deri më 420 mijë kërkesa.
“Deri tani janë dorëzuar 362000 tatime vjetore, ndërsa pritjet e DHP-së janë se deri nesër të dorëzohen edhe 40 ose 50 mijë kërkesa të tjera. Për t’u ndalë në ndihmë qytetarëve, nesër të gjitha sportelet e DHP-së do të punojnë deri në orën 20”,- deklaroi Muhadin Avdiq nga DHP.
Paraqitjet vjetore tatimore vite me radhë dorëzohen edhe nëpërmjet formës elektronike dhe postës. Qytetarët i paraqesin të gjitha të ardhurat shtesë për kryerjen e përkohshme të veprimtarive, qirave, marrëveshjeve autoriale, dividentat e interesit, ndërsa nuk duhet të paraqesin të ardhurat të fituara në bastore, shpenzimet për udhëtime, përdorimit të makinës personale, si dhe dhuratat deri më 5 mijë denarë të fituara në lojërat e fatit. Këtë vit tatim vjetor paraqesin edhe ata të cilët kanë fituar të ardhura përmes internetit ose tregtisë elektronike.
REXHEP QAMILI
