Dita e Verës në Shqipëri u festua me ballokume, koncerte e panaire
Në Shqipëri sot është kremtuar festa pagane e Ditës së Verës....

Në Shqipëri sot është kremtuar festa pagane e Ditës së Verës. Edhe këtë vit, kryeqendra e festës ka qenë Elbasani, i cili ka mirëpritur vizitorë nga të gjitha vendet. Edhe zyrtarë të lartë të Shqipërisë kanë zgjedhur të urojnë pikërisht nga qyteti prej ku lindi tradita e Ditës së Verës, shoqëruar me ëmbëlsirën tradicionale, Ballokumen.
Kryeministri Rama, pasi uroi mbarë shqiptarët për begati, nuk i la mënjanë edhe deklaratat politike, duke u shprehur se të papunë do mbeten vetëm të korruptuarit, ndërsa ka ironizuar çadrën që mban peng Shqipërinë.
Kryedemokrati Basha ka zgjedhur të mos komentojë politikisht, duke i cilësuar këto deklarata broçkulla, e duke ia dedikuar fjalën e tij vetëm festës.
Edhe qytetarët përcjellin urimet më të ngrohta për mbarë shqiptarët.
Dita e Verës ka mbledhur mijëra qytetarë edhe në kryeqendrën e Shqipërisë ku u organizuan aktivitete të ndryshme. (Luljeta Ndoka, TVM2)
