Maqedoni

Në AShAM, politikë ditore në vend të shkencës. Manxhukov kundër gjuhës shqipe, reagon akademikja Qulakovska, distancohen akademikët shqiptarë

14.03.2017 17:19

Deklarata e nënshkruar midis subjekteve politike shqiptare u shndërrua në një cak sulmi nga akademiku, Mitko Manxhukov...

Deklarata e nënshkruar midis subjekteve politike shqiptare u shndërrua në një cak sulmi nga akademiku, Mitko Manxhukov, gjatë Asamblesë së 50 të AShAM-it, ku duhej debatuar mbi punën dhe programin e radhës të këtij institucioni.
 
Maxhunkov i bëri thirrje AShAM-it ta hedh poshtë Deklaratën shqiptare si akt në të cilën ndjehet “politikë ekspansioniste”.  
                                                                                                 
“Përpjekjet e tanishme për zbatimin e dygjuhësisë në të gjithë territorin shpijnë drejt shkatërrimit të karakterit krishterë dhe ortodoks të popullit tonë, islamizimin dhe shqiptarizimin e atdheut tonë. Tani është radha e shqiptarëve të kërkojnë falje, të tërheqin Platformën e tyre, ndërsa faktori ndërkombëtar të distancohet nga ajo platformë e cila me fjalë të tjera shkatërron Maqedoninë ose e shndërron atë në Shqipëri. Respektivisht, ky është një projekt për Shqipëri të Madhe”,- deklaroi akademiku, Mitko Manxhukov.    
                                                                                                               
Fjalimi i Maxhokov nxiti reagimin e akademikëve tjerë. Katica Çufllikova vlerësoi se Akademia nuk duhet të merret me Platformën shqiptare. Platforma po përdoret për të fshehur krimet e kryera gjatë pushtetit, tha ajo.         
 
“Vlerësoj se bëhet fjalë për manipulim të rëndë që bën VMRO-ja, ose e cila mund të ketë krijuar platformën e partive shqiptare me qëllim që të mbajë pushtetin dhe të amnistohet nga krimet e bëra që nuk janë vetëm financiare. Unë mendoj se në këtë moment ajo platformë është një vegël për destabilizim të shtetit dhe institucioneve në interes të udhëheqësve të pushtetit dhe jo në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve”,- u shpreh akademikja, Katica Qulakovska.            
                                                                    
Nga qëndrimet e Maxhinkovit janë distancuar edhe akademikët shqiptarë.          
 
“Unë distancohem nga ajo që e thatë këtu lidhur me Kushtetutën dhe me enciklopedinë. Ju po kërkoni  revidim e të gjitha aktiviteteve afirmative për Maqedoninë. Këtë nuk guxon ta bëjë një akademik, duhet të distancohemi të gjithë këtu. Unë personalisht distancohem. Mendoj se të gjithë ne duhet të distancohemi nga këto qëndrime”,- theksoi akademiku, Alajdin Abazi.    
          
“Unë distancohem nga konstatimet e akademikut Manxhukov lidhur me të gjithë atë që është arritur në shtetin tonë, që të revidohet, duke filluar nga amendamenti 5 për përdorimin e gjuhëve dhe të gjitha ligjet e miratuara. Nuk ka platformë shqiptare, ajo është një deklaratë e partive politike me çështje të caktuara, që dalin nga programet e tyre politike”,- tha akademiku, Izet Zeqiri. 
 
Kryetari i AShAM-it, Taki Fiti, ngriti shqetësim për krizën politike në vend. Ai ftoi partitë politike që të gjitha çështjet, sidomos ato ndëretnike, të zhvillohen në një atmosferë të qetë demokratike pa kushtëzime dhe kërcënime.
 
Të gjitha zgjidhjet për çështje të hapura duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën e Maqedonisë, tha në fjalimin e tij kryetari i ASHAM-it, Taki Fiti.
 
NAIM RAMADANI