Në Sellcë të Tetovës përkujtohen krismat e para të UÇK-së
Në Kalanë e Qëndresës, në fshatin Sellcë të Tetovës...

Në Kalanë e Qëndresës, në fshatin Sellcë të Tetovës, u përkujtua sot 14 marsi i vitit 2001, kur në këtë kala u dëgjuan krismat e para të UÇK-së në Malësinë e Sharrit.
Me këtë rast, ish-komandanti i Brigadës 112 “Mujdin Aliu”, Hazbi Lika, u shpreh se lufta e vitit 2001 rezultoi me Marrëveshjen e Ohrit, por edhe sot e kësaj dite ajo nuk po gjen zbatim të plotë. E faji për këtë, sipas Likës, nuk është vetëm tek pala tjetër, por fajin duhet ta kërkojmë edhe tek vetvetja.
“Pas këtyre ngjarjeve, siç e dimë të gjithë, arritëm në fund në një marrëveshje që të gjithë e përkrahën dhe u garantua nga faktorët ndërkombëtarë. Marrëveshje që u nënshkrua në Ohër dhe sot e kësaj dite nuk po gjen një pjesë të zbatimit të saj. Nuk është mirë që të rinjtë e të rejat sot të dalin jashtë për shkak të mospasjes së perspektivës këtu. Nuk duhet ta tolerojmë një gjë të tillë, sepse tani një pjesë të gjërave e kemi në duart tona dhe të paktën ato gjëra që i kemi në duart tona t’i bëjmë mirë dhe pastaj ta kërkojmë fajin tek tjetri”,- deklaroi ish-komandanti i Brigadës 112 “Mujdin Aliu”, Hazbi Lika.
Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, dhe përfaqësues të veteranëve të luftës po ashtu theksuan rëndësinë e luftës së vitit 2001 dhe Qëndresës në Kalanë e Sellcës.
“Kjo kala në përgjithësi në të gjithë hapësirën shqiptare, po na takon ta themi drejtpërsëdrejti, se i ngjason të asaj të Çanakalasë, sepse 25 mijë veta shqiptarë ranë në atë vend, ndërsa në të gjithë hapësirën shqiptare, brenda tre vitesh 1998-1999, 2000-2001, ranë po ashtu 20 mijë veta për liri, atdhe, komb e flamur shqiptar”,- u shpreh kryetari i ShVL-UÇK-së, Fazli Veliu.
“Shqiptarët në luftërat e tyre asnjëherë nuk kanë kërkuar diçka që do t’u merrte të tjerëve, por kanë kërkuar të drejtat e tyre, ata nuk kanë kërkuar që të merret gjuha e dikujt tjetër, por kanë kërkuar që të përdorin gjuhën e tyre, që është e drejtë dhe vlerë e tyre ashtu siç dëgjuam që në kohën e Gjergj Fishtës dhe autoriteteve tjera. Të gjithë ne e meritojmë që në këtë shtet të cilin ne jetojmë, të kemi jo vetëm mundësi tjera të barabarta etnike, por edhe zhvillim të barabartë për vendet tona”,- theksoi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
“Fatkeqësisht e them, se këtu në vendi tonë dhe Ballkan përsëritet historia, e them këtë pasi jemi dëshmitarë se sot disa individë të papërgjegjshëm protestojnë rrugëve të Shkupit dhe qyteteve të Maqedonisë, protestojnë kundër të drejtave që ju takojnë shqiptarëve, ato të drejta janë të drejta më elementare për çdo popull”,- tha ish-komandanti mësuesi, Rafiz Aliti.
Manifestimi përfundoi me homazhe tek varrezat e Dëshmorëve të UÇK-së në Sellcë. (Visar Sadiki, TVM2)
