Rasmussen: Situatë e paparashikueshme në Evropë

19.05.2014 16:07

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, krizën në Ukrainë e ka cilësuar si një lojë më ndryshe, ndërsa e ka akuzuar Rusinë se po vepron më shumë si kundërshtarë sesa si një partner…..

Presidenti rus Vladimir Putin, i ka urdhëruar forcat ushtarake, të cilat kanë marrë pjesë në stërvitjet në kufi me tri rajonet, në Ukrainën lindore, të kthehen në bazat e tyre. Sipas një deklarate të lëshuar, Kremlini ka thënë se trupat që kanë marrë pjesë në stërvitjet në Rostov, Belgorad dhe Bryansk, janë urdhëruar që të kthehen në kazermat e tyre.

Ende nuk dihet se sa trupa do të tërhiqen, teksa NATO ka bërë me dije se Rusia ka rreth 40 mijë trupa në kufi me Ukrainën. 

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, krizën në Ukrainë e ka cilësuar si një lojë më ndryshe, ndërsa e ka akuzuar Rusinë se po vepron më shumë si kundërshtarë sesa si një partner.

“Agresioni i Rusisë në Ukrainë ka sfiduar idenë fundamentale,  që është e drejta e shteteve sovrane për të zgjedhur rrugën e tyre. Evropa po përballet me një situatë krejtësisht të re të sigurisë, më pak të parashikueshme e më të rrezikshme. Për fat të keq nuk po vërehet asnjë tërheqje e trupave ruse nga kufiri me Ukrainën”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Rasmussen ka folur në selinë e NATO-s pak pasi që Rusia ka njoftuar se presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar trupat ushtarake, që kanë qenë të vendosura në afërsi të kufirit me lindjen e Ukrainës, që të tërhiqen tashmë kur i kanë përfunduar stërvitjet ushtarake.

Aleanca gjithashtu e ka akuzuar Moskën se nuk po ndërmerr asnjë veprim për ta qetësuar situatën në lindje të Ukrainës, ku separatistët pro-rusë kanë marrë kontrollin e disa objekteve dhe qyteteve e qytezave. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)