Shtyrja e votimit të rezolutës me kërkesë të Vajgëllit, do të votohet sipas situatës

14.03.2017 18:50

Parlamenti Europian do të presë zhvillimin e situatës në Maqedoni....

Parlamenti Europian do të presë zhvillimin e situatës në Maqedoni dhe më pas do të votojë rezolutën dedikuar vendit. Vendimi është marrë me kërkesë të raportuesit për Maqedoninë, Ivo Vajgëll, njofton kryetari i Partisë Socialiste, Xhani Pitella.

Raportuesi për Maqedoninë propozoi që të presim me votimin e raportit në pritje të zhvillimit të situatës në Maqedoni. Me këtë dëshirojmë të kuptojmë se si do të evoluojnë gjërat”,- deklaroi kryetari i socialistëve, Xhani Pitella.

Parlamenti Europian në Strasburg me shqetësim të madh po ndjek zhvillimin e situatës në Maqedoni, por edhe në Ballkan, është shprehur kryetari i partisë popullore, Manfred Veber, nga ky grup më i madh parlamentar në Parlamentin Europian. Veber është shprehur se duhet shikuar mundësitë për inkuadrim sa më të shpejtë në Europë.

“Ne po vërejmë një evoluim skajshmërisht shqetësues, posaçërisht në Bosnjë, por edhe në Maqedoni dhe në Kosovë. BE do të duhet të kujdeset për rajonin, ai është pjesë e Europës dhe për këtë nuk ka dyshime. Ne do të duhet të shohim se si këto vende do të gjejnë perspektivë, e cila do të sjellë në Europë që të stabilizohet rajoni”,- theksoi kryetari i Partisë Popullore, Manfred Veber.

Në perspektivën europiane të Ballkanit, e cila duhet të mbetet prioritet i BE-së, insiston edhe Grupi parlamentar i të Gjelbërve.

Ska Keler insiston për rol më aktiv të sektorit civil në situatën në Maqedoni.

“Me shqetësim të madh po përcjellim zhvillimin e situatës në Ballkan. I mbështesim përpjekjet e këtyre vendeve që t’i bashkëngjiten Unionit dhe brengosemi për të ardhmen e tyre. Ka punë të cilat mund t’i bëjmë, si p.sh të mbajmë kontaktet me sektorin civil, pasi që ata e ndërtojnë të ardhmen”,- tha nënkryetarja e “Të gjelbërve”, Ska Keler.

Porosia nga Strasburgu është e qartë: politikanët e përgjegjshëm do të duhet të marrin përgjegjësi që të ketë zhvillim pozitiv të situatës! (Meral Ismaili, TVM2)