Mbledhja e Kuvendit, LSDM: Zhvillohen konsulta me partitë e shumicës

14.03.2017 18:55

LSDM: VMRO të lejojë transferin e qetë të pushtetit, VMRO: Dënoni Platformën, do t’ju mbështesim....

Përkundër paralajmërimeve se shumica e re do të thërret mbledhje të Kuvendit për të përmbyll seancën konstituive, një gjë e tillë nuk ka ndodhur as sot.

Zëdhënësi i LSDM-së, njëkohësisht deputet, Petar Shilegov, thotë se partia mbetet në qëndrimin e një dite më parë, se gjatë kësaj jave do të zhvillohen konsulta me partitë që përbëjnë shumicën e re parlamentare për vazhdimin e seancës konstituive dhe për postin e kryeparlamentarit dhe se lajmi do të publikohet pasi të arrihet pajtimi për këto çështje. 

BDI as nuk e pohon e as nuk e mohon arritjen e pajtimit për vazhdimin e seancës dhe postin e kryeparlamentarit.

Në ndërkohë, kanë vazhduar akuzat dhe thirrjet e ndërsjella mes VMRO-së dhe LSDM-së.

Partia e Zaevit ka ftuar Gruevskin dhe VMRO-DPMNE-në që të mbështesin Programin e qeverisë së re, punën e PPS-së, të pajtohen me faktin se janë opozitë dhe të lejojnë transferin e qetë të pushtetit.

“Duhet, patjetër, që Ivanov të mos udhëhiqet nga interesat kriminale të kryesisë së VMRO-DPMNE-së, por nga interesat e qytetarëve dhe të RM-së, dhe menjëherë të japë mandatin për formimin e qeverisë së re reformuese”,-thuhet në kumtesën e LSDM-së.

Mirëpo, VMRO-DPMNE thotë se mbetet në qëndrimin parimor, se do të mbështesë Zaevin që të formojë qeverinë e re nëse publikisht dënon Deklaratën e përbashkët të partive shqiptare.

“Nëse LSDM dhe Zoran Zaev me të vërtetë angazhohen për Maqedoni unitare dhe multietnike, dhe jo për shtet binacional, atëherë Zoran Zaev duhet qartë dhe zëshëm të deklarohet se e hedh poshtë Platformën tiranase dhe elementet që përmban ajo”,- thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.

Nga ana tjetër, presidenti i Republikës, i cili duhet të ndajë mandatin, në mes të krizës politike dhe institucionale, niset jashtë vendi, në një udhëtim zyrtar, në Forumin Global “E ardhmja e marrëdhënieve ndërkombëtare: pushtet dhe interesa”, që do të mbahet në Baku të Azerbejxhanit. (Shpëtim Nuredini, TVM2)