Dita e Verës, shkupjanët: Kemi dëgjuar nga të moshuarit
Është dita në të cilën stërgjyshit tanë, kur s’kishte lindur ende krishterimi......

Është dita në të cilën stërgjyshit tanë, kur s’kishte lindur ende krishterimi, kremtonin bashkë me romakët dhe me grekët e vjetër perënditë e luleve dhe të shelgjeve. Kështu e përshkruante, Faik Konica, Ditën e Verës.
Fillimisht, festa pagane festohej si e tillë, lidheshin penjtë për të lidhur të keqen, ngjyroseshin vezë me ngjyra dhe të rinjtë bënin gara kush e thyente më vonë vezën e tij.
Gjuanin gurë duke gjuajtur kështu dimrin e ftohtë që po ikte. Bënin gara se kush çohej më herët në mëngjes që t’u shkonte i gjithë viti mbarë. Është një festë pagane që rrjedh nga kohët kur njerëzit i besonin diellit dhe hënës, e ju luteshin që të sillnin shiun për të mbjellat dhe nxehtësinë që do të piqte grurin e ri.
Por, sa e njohin këtë ditë qytetarët e Maqedonisë sot? Të anketuarit nga TVM2 thonë se kanë njohuri për këtë festë, por nuk e festojnë.
“Dita e verës sot është më duket. Jo, nuk e di se si shënohet”- tha një qytetar.
“Atëherë unë jam nga Struga dhe ne e festojmë Ditën e Verës, e festojmë në mënyra të ndryshme, bëjmë vezë, vijnë fëmijët nëpër shtëpi dhe kështu. Për këtë ditë, pasi lind Dita e Verës, mblidhen lule të ndryshme, ua urojmë personave të ndryshëm, që të shkojë viti sa më i mbarë”,- deklaroi një qytetar.
“Më kanë treguar edhe më të vjetrit, por e kam parë edhe nëpër rrjetet sociale që festohet më 14 mars. Është festuar edhe më herët, është festë e vjetër e shqiptarëve, por këtu në Maqedoni nuk festohet edhe aq shumë, më shumë festohet në Shqipëri, por e di që sot ka eveniment në Strugë”,- theksoi një qytetar.
“Sot jemi në dijeni që është festa e Ditës së Verës, mirëpo më shumë festohet në Shqipëri, këtu në Maqedoni nuk jemi shumë në dijeni për këtë festë dhe nuk e festojmë”,- u shpreh një qytetar.
“Po, e di, e ka një traditë të lashtë, por këtu ne nuk e festojmë, sepse nuk festohet shumë këtu kjo festë”,- theksoi një qytetar.
“21 marsi e dimë që është Dita e Pranverës, por për Ditën e Verës nuk e dimë”- tha një qytetar.
“Po, po, por me datë nuk jam i sigurt se kur është”- theksoi një qytetar.
“Nuk e kam ditur”,- u shpreh një qytetar.
Në Dibër dhe në Tropojë të rinjtë ndiznin turmat e dëllinjave, Elbasani feston me ballokume, Korça pjek lakrorët në saç, në Vlorë dhe Berat mbahen karnevale, piqet mish qengji dhe ngjyrosen vezët me të kuqe, në Tropojë nënat i zgjojnë fëmijët e vegjël, duke u hedhur bar dhe lule të freskëta mbi jastëkun ku flenë.
Në Skrapar janë fëmijët ata që zgjojnë të rriturit, duke u kënduar derë më derë. Në Lushnje bashkë me vezët zihet edhe misri e gruri, por Dita e Verës atje festohet më 1 mars.
Arbëreshët mbjellin një lule të re në këtë ditë. Janë veprime të njohura që i shohim edhe në festat fetare tashmë, por që shqiptarët i kanë festuar shumë më herët, duke dëshmuar kështu edhe përmes Ditës së Verës, se janë në këto troje që kur nuk mbahet mend. (Belinda Koka-Ademi, TVM2)
