Maqedoni
Drejtoria e Resurseve Energjetike: brenda dy vitesh gazsjellësi Shkup-Tetovë-Gostivar
14.03.2017 19:17
Për dy vite pritet të përfundojë ndërtimi i gazsjellësit Shkup-Tetovë-Gostivar, gjë që do të bëjë e gjithë Maqedonia të kyçet në gazsjellës...

Për dy vite pritet të përfundojë ndërtimi i gazsjellësit Shkup-Tetovë-Gostivar, gjë që do të bëjë e gjithë Maqedonia të kyçet në gazsjellës, informoi drejtori i resurseve energjetike të Maqedonisë, Krste Milladinov.
Vlera e projektit është rreth 208 milionë euro, gjatësia e gazsjellësit është 76 kilometra në magjistralen Shkup–Gostivar dhe posedon lidhje në Tetovë prej 10 kilometrash.
Ndërtimi i këtij gazsjellësi do të ketë ndikim të madh në pastrimin e mjedisit jetësor.
“Në këtë rajon pritet që sipas përllogaritjeve tona të ketë konsum në mes 80 deri 90 milionë metër kub në vit, kjo do të thotë se do të ulen të gjitha energjenset tjera, për shkak se e dini se gazi është derivat i pastër ekologjik, presim që të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zvogëlimin e shpenzimeve të çmimit të energjenseve dhe të ketë mjedis më të pastër”,- deklaroi drejtori i resurseve energjetike të Maqedonisë, Krste Milladinov.
Milladinov tha se në të ardhmen planifikohet që gazsjellësi të vazhdojë përmes Kërçovës deri në Ohër, Strugë dhe Manastir, si dhe të bëhet lidhje interaktive me Shqipërinë.
Punimet në Tetovë i inspektoi kryeministri, Emill Dimirtriev, së bashku me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
ERSAN PAJAZITI
