Maqedoni

USAID, përfundoi projekti, qasje më e mirë e kompanive në furnizimet publike

14.03.2017 19:45

Ka përfunduar projekti i USAID-it në bashkëpunim me Qendrën Qytetarëve për Komunikim dhe Monitorim...

Ka përfunduar projekti i USAID-it në bashkëpunim me Qendrën Qytetarëve për Komunikim dhe Monitorim për qasje më të mirë të mikro kompanive në furnizimet publike.
 
Rreth 700 ndërmarrjeve gjatë 5 viteve çdo ditë u është ndihmuar nëpërmjet trajnimeve se si të marrin pjesë vetë me sukses nëpër tenderë  për furnizime publike.
 
Pas hulumtimeve të bëra, Qendra e Qytetarëve për Komunikim dhe Monitorim kërkon përmirësim të kornizës institucionale, ndryshim të mënyrës se si realizohen furnizimet publike, si dhe gjatë zgjedhjes së kompanive të bazohet në ofertën më të volitshme se sa në çmimin më të ulët.
 
“Sistemi i furnizimeve publike sipas anketave në terren, sipas  njerëzve dhe institucioneve që i konsultuam, i duhen ndryshime shumë më tepër, i duhet përputhje  me direktivat e reja të BE-së, të cilat hyjnë në fuqi vitin e kaluar, për atë kemi shumë arsye që të mendojmë se si në të ardhmen do ta zhvillojmë këtë segment të rëndësishëm të ekonomisë”,- u shpreh German Fillkov nga Qendra e Qytetareve për Komunikim. 
 
“Shembulli i këtij projekti është se si shoqëria civile mund të ndihmojë në të gjithë shtetin. Kjo ndihmë arrihet duke hapur dialog mes sektorit shtetëror, atij privat dhe shoqërisë civile, në të njëjtën kohë të punohet në përmirësim të politikave publike, përmirësimit të vetë Ligjit për furnizime publike dhe propozimeve të cilat bashkërisht janë dakorduar”,- theksoi drejtori i USAID-it në Maqedoni, Xhejms Stajn.
 
1400 institucione në nivel lokal dhe shtetëror e zbatojnë Ligjin për furnizime publike. Në realizimin e 20 mijë marrëveshjeve gjatë një viti marrin pjesë rreth 4800 biznese.
 
“Shuma të cilën e ndan shteti për furnizime publike në nivel vjetor  arrin në 1 miliard euro, që është 12% e BPV-së”,- qëndron në hulumtimin e Qendrës së Qytetarëve për Komunikim.
 
GAZMEND REXHEPI