Botë

Stuhia Stela prek bregun lindor të ShBA-ve, anulohet takimi Trump-Merkel

14.03.2017 20:30

Një stuhi e fuqishme e borës në bregun lindor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka detyruar Shtëpinë e Bardhë...

Një stuhi e fuqishme e borës në bregun lindor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka detyruar Shtëpinë e Bardhë ta shtyjë për më 17 mars takimin ndërmjet presidentit amerikan, Donald Trump, dhe kancelares gjermane, Angela Merkel, që ishte paralajmëruar për sot.
 
Merkel ishte në rrugën e saj për në aeroportin e Berlinit, për të fluturuar në Uashington, kur presidenti amerikan Trump e ka informuar me telefon për përkushtet e këqia atmosferike, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.
 
Përndryshe, stuhia përbindësh e përplasur mbi brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara riktheu sërish acarin dimëror dhe thirrjet e zyrtarëve të lartë vendas për kujdes, përfshirë edhe apelin e vetë presidentit.
 
“Të gjithe banorët e këtij rajoni t’u vënë veshin autoriteteve, sepse një stuhi e fuqishme dimërore po afrohet”,- shkroi Donald Trump më herët në Twitter. Shtetet e Nju Jorkut dhe Nju Xhersit kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. 
 
Paralajmërime për motin ekstrem janë dhënë edhe për disa pjesë të Pensilvanisë e Konektikatit.
 
Mbi 7.600 fluturime janë anuluar, shkollat janë mbyllur, ndërsa rrugët janë bërë të rrezikshme për qarkullim.  Aeroportet më të prekura nga kushtet e ashpra atmosferike janë ata të Nju Jorkut, Uashingtonit, Bostonit, Baltimores dhe Filadelfias.
 
Stuhia Stela është afruar me erëra që mbërrijnë 100 km në orë. Në kulmin e saj, reshjet e dëborës pritet të mbërrijnë maksimumin në nivelin e 10 cm në orë.