Botë

Akuzat e Erdoganit për Holandën, Tusk: Turqit janë larg realitetit

15.03.2017 11:35

Presidenti turk, Erdogan, i cilësoi holandezët fashistë dhe kjo ka sjellë reagimin e presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk...

Presidenti turk, Erdogan, i cilësoi holandezët fashistë dhe kjo ka sjellë reagimin e presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk, i cili thotë se Turqia është plotësisht e shkëputur nga realiteti.
 
Duke folur në vazhdën e një grindjeje të bujshme mes Turqisë dhe vendeve europiane për shkak të moslejimit të fushatës për referendumin turk, Tusk tha se Holanda ishte “një vend i lirisë dhe demokracisë, i tillë është edhe Roterdami”, shtoi ai duke iu referuar qytetit ku nisën përplasjet pas ndalimit që iu bë një ministri turk për të folur në miting të shtunën. 
 
“Qyteti i Erasmus-it, i shkatërruar rëndë nga nazistët, sot ka një shumicë popullsie të lindur në Marok. Nëse dikush sheh fashizëm në Roterdam, ai me siguri është totalisht i shkëputur nga realiteti”,- deklaroi presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk.
 
Presidenti turk, Erdogan, akuzoi dje Qeverinë holandeze si një “mbetje naziste”, madje kritikoi edhe rolin e saj gjatë luftës së Bosnjës, veçanërisht në masakrën e Srebrenicës. Por, kryeministri holandez i quajti këto komente si një “falsifikim i turpshëm”.
 
Turqia është irrituar nga vendimi i Holandës dhe i Gjermanisë, për të anuluar mitingjet që synonin të siguronin mbështetjen e turqve që jetojnë në këto shtete për votën “pro” në referendumin e 16 prillit, që ka si qëllim të shtojë  kompetencat ekzekutive të  presidentit Erdogan. 
 
LEUNORA KALIQI