MAQEDONI

Do të restaurohet xhamia “Hajdar Kadi” në Manastir

19.05.2014 16:42

Marrëveshja parasheh restaurimin e plotë të xhamisë, e cila është jashtë përdorimit për besimtarët mysliman prej thuajse një shekulli, u shpreh kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi….

Xhamia “Hajdar Kadi” në Manastir, do të restaurohet nga Bashkësia Fetare Islame në bashkëpunim me Drejtorinë e Vakëfeve të Turqisë. Marrëveshja e bashkëpunimit u nënshkrua sot mes BFI-së dhe Drejtorisë së Vakëfeve të Turqisë.

Marrëveshja parasheh restaurimin e plotë të xhamisë, e cila është jashtë përdorimit për besimtarët mysliman prej thuajse një shekulli, u shpreh kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi.  

“Kjo xhami ka përjetuar stuhi shumë të egra, sidomos pas tërheqjes së osmanlinjve. Mbi këto objekte islame janë vërsulur luftëra të ndryshme ballkanike dhe botërore, që kapakun t’ia japë në fund komunizmi. Por kjo xhami u ka bërë rezistencë të gjithë këtyre të këqijave dhe sot Allahu xh. sh. na ka mundësuar që t’ia kthejmë bukurinë kësaj xhamie. Unë kam bindjen se ky bashkëpunim i nisur do të jetë një fillim i mbarë, por që pritet që në të ardhmen  të forcohet dhe të shtrihet edhe nëpër qytetet e tjera të Maqedonisë, aty ku xhamitë monumentale janë lënë në mëshirë të kohës”, deklaroi kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi.

Drejtori i Drejtorisë së Vakëfeve të Turqisë, Adnan Ertem, tha se ky është një fillim i mbarë i bashkëpunimit me BFI-në, restaurimin e xhamive, duke shtuar se ky bashkëpunim do të intensifikohet në të ardhmen.

“Ne jemi dëshmitarë të kësaj myzhdeje dhe sot jemi njerëzit më të lumtur, sidomos kur i japim fund një dhimbjeje 100 vjeçare. Për fat të keq, me tërheqjen e Perandorisë Osmane nga këto troje, shtëpitë tona, objektet tona u ngushtuan, por ne asnjëherë nuk kemi hequr dorë nga interesimi se ç’farë ndodh këtu dhe falë Zotit, ky interesim kohën e fundit gjithnjë e më tepër po rritet, që t’i kthejmë këto objekte. Nëse të parët tanë nëpërmjet vakëfeve i ndërtuan këto objekte, tani është detyra jonë që t’i mbrojmë dhe t’i shtojmë”, u shpreh drejtori i Drejtorisë së Vakëfeve të Turqisë, Adnan Ertem.

Punimet për restaurimin e xhamisë “Hajdar Kadi” do t’i kryej një kompani private nga Ankara. (Afrim Tanallari, TVM2)