Botë
Kabul, lirohet një punëtore e ndihmës nga Australia
15.03.2017 12:37
Një punëtore e ndihmës nga Australia, që ishte rrëmbyer vitin e kaluar në Afganistan, është liruar, thonë zyrtarë afganë dhe qeveria australiane...

Gruaja, identiteti i së cilës nuk është bërë publik, ishte rrëmbyer në nëntor në Kabul. Kreu i hetimeve në Kabul, Mohammad Salim Almas, ka thënë se ajo është dorëzuar në Ambasadën e Australisë më 14 mars.
Përmes një deklarate për media, Departamenti për Çështje të Jashtme i Australisë ka konfirmuar lirimin e gruas. Rrëmbimet janë të zakonshme në Afganistan, ku afganët e pasur dhe shtetasit e huaj janë nën shënjestrën e bandave kriminale dhe grupeve militante. Disa punëtorë të ndihmës nga Australia janë rrëmbyer muajt e fundit. Në muajin gusht, Katherine Jane Wilson, punëtore e ndihmës, u shpëtua nga forcat speciale afgane.
Ajo ishte rrëmbyer në qytetin lindor të Jalalabadit. Profesori australian në Universitetin amerikan në Afganistan, Timothy Weekes, vazhdon të mbahet peng, pasi së bashku me një koleg amerikan u rrëmbye në gusht. Të dy janë shfaqur në janar në një video të talibanëve.
