Botë

Libi, Rusia i ka ofruar ndihmë ushtarake opozitës

15.03.2017 13:22

Qeveria opozitare e Libisë në lindje të vendit, që kundërshton udhëheqësinë në Tripoli, të mbështetur nga OKB-ja...

Qeveria opozitare e Libisë në lindje të vendit, që kundërshton udhëheqësinë në Tripoli, të mbështetur nga OKB-ja, ka kërkuar ndihmë ushtarake nga Rusia dhe ka marrë premtim për mbështetje, ka thënë një zyrtar.
 
“Shumica e oficerëve tanë janë trajnuar në Rusi dhe shumica prej tyre flasin rusisht dhe dinë të përdorin pajisje ruse”,- ka thënë për agjencinë ruse “Ria Novosti”, Aguila Saleh, kryeparlamentar në qytetin lindor të Tobruk.
 
“Ne na është premtuar asistencë në luftën kundër terrorizmit”,- ka thënë Saleh, duke u zotuar se ushtria e qeverisë së tij, që udhëhiqet nga Khalifa Haftar, do të marrë nën kontroll fushat e naftës dhe portet detare që momentalisht janë nën kontrollin e qeverisë në Tripoli.
 
Haftar vitin e kaluar ka udhëtuar për në Moskë dy herë, ku ka folur me ministrin e Mbrojtjes së Rusisë. Saleh ka thënë se 70 ushtarë të forcave të Hafterit, muajin e kaluar, janë dërguar në Rusi për trajtim mjekësor. Deklaratat e Saleh vijnë pasi Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka mohuar raportimet se ka dërguar trupa në qytetin egjiptian të Sidi Barrani, që gjendet afër kufirit lindor të Libisë.