Itali, arrestohen 69 persona, mes tyre politikanë, biznesmenë dhe mafiozë

15.03.2017 14:31

Policia financiare e Barit në bashkëpunim me Drejtorinë e përgjithshme të anti-mafias italiane....

Policia financiare e Barit në bashkëpunim me Drejtorinë e përgjithshme të anti-mafias italiane, ka arrestuar 69 persona, mes të cilëve politikanë, sipërmarrës e mafiozë akuzohen për korrupsion, manipulim tenderësh publikë dhe në bashkëpunim me Organizatën kriminale të mafias së Napolit “Camorra”, hetimet e policisë italiane kanë përfshirë në këtë operacion emra të rëndësishëm të politikës dhe biznesit.

Mes personave të arrestuar janë këshilltari rajonal i Partisë  “Nuovo Centro Destra”, kryetarët aktualë të tre bashkive, një ish-kryetar bashkie dhe vëllai i një tjetër kryetari aktual.

Hetimet kanë zbardhur 18 tenderë të fondeve publike rajonale në komuna të ndryshme të provincës së Napolit, të ndara gjatë viteve 2013-2016 në favor të klanit kamorrist të familjes mafioze, Zagaria.

Në qendër të hetimeve është figura e inxhinierit, Guglielmo La Regina, mjaft i njohur në Napoli dhe i ashtuquajturi “The Queen”, i cili mbante lidhjet me shoqëritë nën pronësi të familjes mafioze, Zagaria.

Nën pranga kanë përfunduar dhe mjaft administratorë lokalë, funksionarë publikë, ekonomistë, inxhinierë, profesorë universitarë etj. Hetimet janë zbardhur falë dëshmisë së Loredana Di Giovannit, e cila përgjatë zgjedhjeve të fundit vendore kishte punuar për të manipuluar votat në favor të këshilltarit të NCD-së, Pasquale Sommese.

Dëshmia e saj ka qenë vendimtare në zbulimin e të gjitha kanaleve të fshehura të kësaj ngjarje. (Leunora Kaliqi, TVM2)