Maqedoni

Analistët në “Argument”: VMRO bëhet gati për zgjedhje, retorika antishqiptare do të ashpërsohet

15.03.2017 15:27

Edhe përkundër përpjekjeve të LSDM-së dhe BDI-së për të mbledhur kuvendin deri në fund të javës, analisti politik, Alajdin Demiri...

Edhe përkundër përpjekjeve të LSDM-së dhe BDI-së për të mbledhur kuvendin deri në fund të javës, analisti politik, Alajdin Demiri, shprehet pesimist për një gjë të tillë, duke i pasur parasysh kërcënimet në adresë të deputetëve.
 
Demiri, që ishte një ndër panelistët në “Argument” në TVM2, zgjidhjen e sheh në dorëheqjen e ministrave të BDI-së, në të kundërtën ai thotë se vendi do të shkojë drejt përleshjes ndëretnike në Shkup, që në fund do të kulminojë me kyçjen edhe të Gjykatës Kushtetuese në favor të VMRO-së.
 
“Kjo krizë mund të zgjidhet shumë shpejt në rast se BDI që sot i tërheq ministrat e tyre dhe atëherë s’ke qeveri. Atëherë obligohet kryetari të mandatojë këdo qoftë për qeveri teknike, qeveri politike të mazhorancës... Kërcënimet ndaj deputetëve se mund të hyni po s’mund të dilni janë serioze për arsye se interesi strategjik i VMRO-së është që e gjithë kjo krizë të përfundojë me përleshje... Tereni përgatitet për përleshje ndëretnike edhe atë në Shkup, për arsye se shqiptarët e Shkupit më së tepërmi i pengojnë këtij koncepti të VMRO-së edhe në këtë situatë. Edhe po të funksionojë parlamenti, përsëri nuk mund të formojë qeveri që është mirë e bllokuar, që do të thotë se VMRO i vuri në shërbim të gjitha instrumentet e bllokuara dhe të zëna, duke filluar prej KShZ-së, ku janë shumicë, pastaj kryetari i shtetit, i cili u soll si frontmen i VMRO-së dhe ka një argument tjetër, argumentin e fundit që përpos që gjyqësinë e ka të uzurpuar, ngel edhe gjyqi kushtetues, i cili përsëri do të jetë në anën e VMRO-së”,- analisti, Alajdin Demiri.
 
Analisti, Artin Spahiu, thotë se me protestat Gruevski po përgatit popullatën për zgjedhjet lokale, por ai alarmon për frikën e përsëritjes së skenarëve, si ai në Kumanovë.
 
“Në këto raste unë vetëm për një gjë kam frikë, se e gjithë kjo bëhet për çështje elektorale. Gruevski përgatit popullatën për zgjedhje eventuale të parakohshme. Në kriza të këtilla faktori maqedonas ka gjetur oaza brenda shqiptarëve, të krijojë problem… Frika ime është që te ne mos të na infiltrojnë “Kumanovën” e dytë”, - u shpreh analisti, Artin Spahiu.
 
Analisti, Agim Jonuz, druan se tensionimit të situatës do t’i kontribuojë ashpërsimi i retorikës nacionaliste antishqiptare në zgjedhjet lokale dhe, sipas tij, shqiptarët do të duhet të jenë të përgatitur për situata të tilla.
 
“Të përgatisim veten jo si shqiptarë kundër popullit maqedonas, por të mbrohen tezat, programet dhe politika që ne e prezantojmë. Duhet një destilim maksimal, në rend të parë grupit që e prezanton shqiptarët në Maqedoni. Ne kemi nevojë të diselektimit të njerëzve të cilët duhet të na prezantojnë para maqedonasve. Edhe një problem ka, problemi i vetëkritikës”,- u shpreh analisti, Agim Jonuz.
 
Analisti, Visar Ademi, thotë se në fund Brukseli nuk do të lejojë në ndezje të situatës në Maqedoni nga dy rrymat ruse apo serbe.
 
“Maqedonia është rast perfekt për t’i matur këto rryma. Prandaj them se përsëri se Brukseli, me atë burokraci që ka dhe me atë lloj ngathje, mendoj që përsëri do të mundohet që të parandalojë krizën që mos të ketë një lloj hedhje të flakadanit që të tejkalojë në përmasa që s’mund të kontrollohen”,- theksoi analisti, Visar Ademi.
 
Sipas analistëve, çështja e gjuhës shqipe do të përmbyllet për një afat më të gjatë me formimin e qeverisë me intervenime ligjore meqë nuk dëmtohet karakteri unitar i shtetit, ashtu dhe siç pretendohet.
 
MERAL ISMAILI