Integrimi ndëretnik në arsim, përfundon projekti i USAID-it
Ka përfunduar projekti i pesëvjeçar i USAID-it për integrim ndëretnik në arsim...

Ka përfunduar projekti i pesëvjeçar i USAID-it për integrim ndëretnik në arsim, që kishte si qëllim integrimin e fëmijëve me përkatësi të ndryshme etnike përmes arsimit dhe aktiviteteve.
Por, me gjithë aktivitetet e shtuara në këtë drejtim, arsimtarët thonë se gjendja politike ndikon ndjeshëm në ngritjen e tensioneve mes nxënësve dhe kjo krijon problem në funksionimin e shkollave, sidomos të shkollave ku mësimi ndiqet nga fëmijë të etniteteve të ndryshme.
“Ndikojnë edhe çështjet politike zakonisht tek fëmijët. Nuk mund të dimë ne se çfarë mund të kenë urrejtje, por çështjet politike ndikojnë dhe nxënësit fillojnë të urrehen në mes tyre, po të mos ishin këto çështje do të funksiononin pa problem”,- deklaroi pedagogia në Sh. F. “Zhivko Brajkovski”, Xhejlan Bakiu.
Por, nga misioni i USAID-it dhe MASh-i thonë se vetëm përmes ndërtimit të urave mes nxënësve të etniteteve të ndryshme mund të funksionojë një shtet multietnik.
“Para pesë viteve e filluam projektin për integrimin ndëretnik në arsim, me qëllim që t’i tejkalojmë barrierat dhe të ndërtojmë ura me të cilat do të tejkalohen ndarjet etnike në të gjitha shkollat në Maqedoni. Nëpërmjet këtyre programeve nxënësit mësojnë se të gjithë jemi të barabartë dhe se respekti për llojllojshmëri etnike dhe bashkëpunim është rruga e vetme për Maqedoninë për të korrë suksese”,- tha drejtori i misionit të USAID-it, Xhejms Stajn.
“Me projektin janë formuar 400 partnerë midis shkollave, përmes së cilëve është vendosur interaksion midis mësimdhënësve dhe nxënësve të shkollave të gjuhëve të ndryshme mësimore. Mbi 5600 nxënës të grupeve të përziera etnike morën pjesë në punëtori kreative, klube debatuese dhe aktivitete shkollore dhe jashtëshkollore. Përmes zyrës ushtarake EUKOM, gjatë pesë viteve kontribuoi me 300 mijë dollarë për vit të financuara për rinovimin e shkollave pjesëmarrëse. Deri më sot janë rinovuar 63 shkolla”,- theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu.
Projekti “Ndërtojmë ura” ka kushtuar 6.2 milionë dollarë dhe u zbatua nga Qendra për Edukim Qytetar. Përmes projekteve të ndryshme të financuara nga USAID, populli amerikan ka investuar në Maqedoni mbi 500 milionë dollarë që nga viti 1993. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)
