Maqedoni

Bejli: Zgjidhja e krizës në funksionimin e institucioneve

15.03.2017 16:26

Ambasadori i ShBA-së në Shkup, Xhejs Bejli, nuk ka hedhur poshtë idenë e liderit të BDI-së, Ali Ahmetit, për një marrëveshje të re të liderëve...

Bejli porositi  liderët politikë se e vetmja mënyrë për tejkalimin e krizës është pikërisht dialogu ndërpartiak.
 
“Kishim një sistem nga maji e më pas nga korriku i 2015-s për t’i dhënë fund krizës, për t’i kthyer partitë në parlament, duke determinuar kushtet për zgjedhje korrekte, për t’u marrë me çështjen e bisedave të paautorizuara, nga erdhën dhe çfarë zbulonin ato, më pas me prioritet reformuese. Dhe kjo mbetet ende, kjo është baza prej të cilës duhet të vazhdoni. Nëse shikoni këto elemente, do të gjeni se si t’i jepni fund krizës”,- tha ambasadori i ShBA-ve në RM, Xhes Bejli.
 
Bejli, ndërkohë, ka ripërsëritur edhe njëherë qëndrimin e tij se presidenti Ivanov duhet të rishqyrtojë vendimin për të mos ia dhënë mandatin liderit të LSDM-së, Zoran Zaev.
 
“Disa herë kemi sqaruar qëndrimin tonë në lidhje me vendimin e presidentit Ivanov. Ne mendojmë se nuk ishte vendim i mirë dhe shpresojmë se do ta rishqyrtojë. Mendoj se është e rëndësishme që institucionet demokratike të funksionojnë dhe vlerësoj se pikërisht këtu qëndron edhe zgjidhja e krizës”,-u shpreh ambasadori i ShBA-ve në RM, Xhes Bejli.
 
Bejli tha se faktori ndërkombëtar, e në veçanti ShBA-të, mbeten të përkushtuara për të ndihmuar Maqedoninë në tejkalimin krizës. Por, në fund, sipas tij, zgjidhja është në duar të qytetarëve, liderëve dhe institucioneve. Ka tensione dhe ndarje në shoqëri dhe ju takon institucioneve t’i bashkojnë njerëzit, ka deklaruar Bejli. 
 
BELINDA KOKA-ADEMI