Maqedoni
Dita Ndërkombëtare e Konsumatorit, qytetarët ankohen, paralajmërohet ligj i ri
15.03.2017 16:45
15 marsi është Dita Ndërkombëtare e Konsumatorit....

Qytetarët ankohen se të drejtat e tyre nuk respektohen nga shitësit.
“Shitësit jo gjithnjë përmbushin detyrimet që dalin nga garancitë e produkteve që shesin në dyqane, shiten mallra edhe me afat të skaduar dhe askush nuk mban përgjegjësi, disa shitës kanë sjellje jashtë standardeve”,- ankohen qytetarët e anketuar nga TVM2.
“Më ka ndodhur dy tre-herë, nuk mi kanë kthyer produktet, nuk më kanë besuar edhe me llogari fiskale”,- theksoi një qytetar.
“Ndodh ndonjëherë tek produktet me afat të skaduar, i ngjisin shënime të reja, por shihet fletë e bardhë pa vulë, pa asgjë”,- tha një qytetar.
“Ka mallra që tre herë janë shkrirë dhe ngrirë, por ata përsëri i shesin”,- u shpreh një qytetar.
Edhe blerjet në internet janë shqetësim për qytetarët. Shoqatat për Mbrojtjen e Konsumatorëve kërkojnë masa më të rrepta për kompanitë të cilat sillen në mënyrë të papërgjegjshme.
“Kompanitë që sillen në mënyrë të papërgjegjshme ndaj konsumatorëve dhe për të cilat ka shumë ankesa, këtë vit planifikojmë t’i prezantojmë publikisht para qytetarëve. Mendoj se kjo do të ndikojë në ndërgjegjësimin e atyre që japin shërbime, që të sillen në mënyrë më të përgjegjshme, më racionale dhe më korrekte ndaj konsumatorëve”,- deklaroi kryetari i Këshillit për Mbrojtje të Konsumatorëve- Shkup Marjan Dodevski.
Nga Ministria e Ekonomisë po përgatisin një ligj të ri për mbrojtjen e konsumatorëve.
“Ligji aktual për mbrojtën e të drejtave të konsumatorëve është miratuar pa projekt konkret. Do të punojmë për përgatitjen e një ligji të ri për mbrojtën e të drejtave të konsumatorëve”,- deklaroi sekretarja shtetërore në Ministrinë e Ekonomisë, Aneta Dimovska.
Inspektorati Shtetëror i Tregut përgjegjës për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorëve, në vitin 2016 ka realizuar rreth 3.000 inspektime në bazë të këtij ligji, nga të cilat rreth 1.000 janë ankesa nga konsumatorët.
GAZMEND KURTISHI
