Maqedoni
Ende nuk dihet ku gjendet Koçan, mbrojtja: s’ka rëndësi ku është, po e dëmtojnë
15.03.2017 17:06
Gjykata e Apelit diskutoi sot rreth ankesës pas vendimit të Këshillit Penal të Gjykatës Themelore Shkupi 1...
Gjykata e Apelit diskutoi sot rreth ankesës pas vendimit të Këshillit Penal të Gjykatës Themelore Shkupi 1 për paraburgimin 30 ditor të biznesmenit Sead Koçan, një ndër të akuzuarit kryesorë në rastin “Trust”.
PPS arsyeton kërkesën me faktin që tashmë disa ditë organet e rendit nuk kanë asnjë të dhënë se ku ndodhet Koçan dhe kjo sipas PPS-së është dëshmi e dyshimeve për arratisje të mundshme.
Por, avokati mbrojtës, Nikolla Dodevski, tha se në bazë të ligjit nuk është e patjetërsueshme që i akuzuari të jetë prezent në seancë.
“Të gjitha argumentet qartë tregojnë qëllimin e kërkesës për paraburgim të Koçanit. Kjo kërkesë bëhet me të vetmin qëllim, që t’i shkaktohet dëm mediumit të tij dhe t’i dëmtohet imazhi si biznesmen”,- deklaroi avokati mbrojtës, Nikolla Dodevski.
Avokati Dodevski kërkoi nga Këshilli që ta pranojë ankesën dhe ta shfuqizojë vendimin për paraburgim, ndërkaq prokurorët e PPS-së thanë se nëse Koçan nuk është në paraburgim, i njëjti mund ta përsërisë veprën dhe të ndikojë në ekspertët e këtij rastit.
Gjykata ka 48 orë në dispozicion të sjellë vendim se do të verifikojë ose hedh poshtë vendimin për paraburgim të Sead Koçan, për të cilin mbrojtja vërteton se ai nuk është në ikje dhe se askush nuk e di se ku ndodhet për momentin.
Koçan, i cili është njëri nga tre të dyshuarit në rastin “Trust”, është i pakapshëm për organet e rendit dhe për këtë është nënshkruar fletarrest nëpërmjet Interpolit.
Avokati i tij, Nikolla Dodoevski, tha se Koçan është në udhëtim zyrtar dhe pret nga Gjykata e Apelit që të deklarohet për ankesën për vendimin për paraburgim, ndërkaq i pyetur se ku ndodhet, ai tha se “nuk është me rëndësi”.
Koçan, Vasilije Aviroviq dhe Safet Batiq janë të dyshuar për falsifikim të dokumenteve me anë të së cilëve kanë fituar tenderë në vlerë prej 17 milionë euro nga ELEM për gjurmim të qymyrit dhe mbetjeve nga miniera e Suvodollit. Këto tre ndërmarrje në tender kanë konkurruar si konzorcium, kurse bartës kryesor i tyre ka qenë “Trans Met”.
BESIM ABDULLAI
