Ligji për noteri dhe përmbarim, noterët dhe përmbaruesit mbështesin ndryshimet

15.03.2017 17:06

Noterët dhe përmbaruesit mbështesin iniciativën e punëdhënësve...

Noterët dhe përmbaruesit mbështesin iniciativën e punëdhënësve për ndryshime të Ligjit për noteri dhe përmbarim, me  të cilët  kompanitë duhet të angazhojnë avokatë në procedurat ligjore.

Ata ankohen se me hyrjen në fuqi të këtyre ligjeve janë rritur harxhimet për shërbime, janë ndërlikuar procedurat, juristëve u bëhen padrejtësi nëpër kompani dhe nënvlerësohen.

“Me ligje të tilla, juristët nëpër kompani padrejtësisht janë përjashtuar dhe trajtohen sikur nuk kanë fare lidhje me drejtësinë. Midis tyre, ka edhe doktorë shkencash. Krahas përvojës që kanë, do të ishte turp të mos ju jepet mundësi të përpilojnë një propozim për përmbarim apo ndonjë marrëveshje për shitblerje. Kjo i ngjan sikur të miratoni një ligj me të cilin ju ndalohet të shfrytëzoni makinën tuaj personale dhe ju këshillohet që të shërbeheni me taksi”,- deklaroi kryetari i Odës së Përmbaruesve, Angel Dimitrov.

“Filloi zbatimi i ligjit dhe u nxorën në sipërfaqe problemet. Edhe pse po përpiqemi ta respektojmë ligjin, kompanitë kanë probleme, shërbimet janë shtrenjtuar dhe çka është me rëndësi procedurat janë komplikuar dhe stërzgjaten”,- u shpreh Olga Dimovska nga Oda e Noterëve.

Nga Oda e Noterëve, ndërkohë, kërkojnë që të dënohen deklaratat e  Odës së Avokatëve për gjoja oferta të qëllimshme të noterëve për shërbime avokature. Dje  nga Oda e Avokatëve kërkuan që noterët të punojnë sipas tarifës aktuale dhe, patjetër, në lëndët me shuma të mëdha të hollash, të mos ndërmarrin asnjë veprim pa praninë e avokatit, siç ka ndodhur deri tani në shumë raste. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)