MAQEDONI

Prezantohen prioritetet e CEFTA-s

19.05.2014 17:28

Maqedonia nuk do të ketë pasoja negative me furnizimin e drithërave që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina...

Maqedonia nuk do të ketë pasoja negative me furnizimin e  drithërave që vijnë  nga  Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. 
 
Ministri i Ekonomisë, Valon Saraçini, thotë se nuk ka vend për panik me furnizimin  e grurit, pasi që 70 për qind e  prodhimit  të grurit vjen nga vendi ynë. Në rast të mungesës së mallrave, Maqedonia do të drejtohet me import alternativ dhe do t’i aktivizojë rezervat shtetërore. Problem më i madh mund të pasqyrohet ndaj kompanive vendase, të cilat transportojnë mallra në Evropë.
 
“Për momentin nuk ka nevojë për panik, pasi që çdo herë ekzistojnë edhe importe alternative. Në këtë moment nga Serbia mund të ketë problem me importin e grurit, por duke pasur parasysh se Republika e Maqedonisë prodhon diku rreth 250-270 mijë  ton grurë në vit, që është diku rreth 70 % nga nevojat vjetore, që do të thotë se ne kemi nevojë për import për vetëm 30 %, për të plotësuar  të gjitha kërkesat. Ndikim negativ për këtë gjendje që po ndodhë në Bosnjë dhe në Serbi, mund të ketë me transportin e mallrave, pasi që transporti është vështirësuar dhe mund të ketë vonesa në lidhje me  kërkesat që kompanitë  i kanë ndaj vendeve evropiane”, deklaroi ministri i Ekonomisë, Valon Saraçini.
 
Me qëllim të prezantimit  të platformës së Sekretariatit CEFTA, që  këtë vit është  nën  udhëheqjen e  Maqedonisë, sot pranë zyrave të Ministrisë së Ekonomisë u mbajt një takim pune midis tyre.
 
Me këtë rast, drejtoresha e CEFTA-s, Renata Vitez, drejtpërdrejtë u njoftua me prioritetet e Maqedonisë, të cilat kanë të bëjnë me krijimin e një tregu të lirë, liberalizimin e produkteve bujqësore, si dhe eliminimin e të gjitha barrierave jotarifore, që paraqiten  gjatë eksportit dhe importit të mallrave.
 
“Roli i CEFTË-s është shumë i rëndësishme për krijimin e një mjedisi konkurrent ekonomik. Këtë e them edhe nga rezultatet e arritura deri më tani dhe nga strukturat e zhvilluara, të cilat mund të sigurojnë implementimin e prioriteteve dhe rritjen ekonomike të rajonit. Po ashtu në këtë takim kemi biseduar edhe për nevojën e madhe të bashkëpunimit mes Qeverisë dhe sektorit privat”, tha drejtoresha e CEFTA-s, Renata Vitez.
 
Tregtimi i Maqedonisë në kuadër të CEFTA-s, është  rreth 18 për qind nga tregtimi i përgjithshëm. 
 
REXHEP QAMILI