Marrëveshja për qeverinë, partitë ende pa dakordim për seancën e Kuvendit

15.03.2017 18:20

Zvogëlohen gjasat që shumica e re parlamentare të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive, ditën e ënjtë.....

Zvogëlohen gjasat që shumica e re parlamentare të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive, ditën e ënjtë.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, në një intervistë për RTV21 thotë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë pa pajtimin edhe të VMRO-DPMNE-së, edhe pse, më herët, një plan i tillë nuk u përjashtua nga asnjë subjekt i shumicës së re parlamentare për shkak të frenimit të procesit paszgjedhor nga ana e presidentit Ivanov.

“Kemi komunikim edhe me LSDM-në, por pa një marrëveshje të mirëfilltë mes palëve, si përfaqësuese shumicë të komuniteteve, LSDM-së, VMRO-së, BDI-së dhe partive të tjera, ne nuk mund të bëjmë eksperimente dhe prova si në teatër. Të shkojmë në Parlament pa një marrëveshje paraprake dhe jo të shkojmë për të parë njëri-tjetrin dhe për t’i shkëmbyer ca sharje dhe ofendime, por për të filluar një seancë në të cilën seancë do të zgjidhet komisioni për emërime dhe të zgjidhet kryetari i Parlamentit të RM-së. Së paku të fillojmë nga ngritja e institucioneve dhe të japim sinjalet e para për zgjidhje të problemeve. Se a do të bëhet kjo ditën e enjte mbetet për ta parë, sepse deri më tani nuk ka ndonjë sinjal aq të prishëm që ky moment të mund të ndodhë. Përpjekje bëhen, por tash për tash mbetet në të dëshirueshmen”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ndërkaq, LSDM konsideron se prioritet i vendit është që të formohet Qeveria e re politike, pasi, sipas tyre, papërgjegjshmëria e presidentit rrezikon paqen dhe sigurinë në vend.

“Prioritet shtetëror i RM-së është që të formohet qeveri në interes të qytetarëve. Në mungesë të Ivanovit, Maqedonia mbetet pa institucionin e vetëm fuksional, sido që të jetë. Kuvendi nuk ka zgjedhur kryetar, ndërsa Qeveria ka ingerenca të kufizuara. Me sjellje të këtillë, joserioze dhe të rrezikshme, Ivanov dëshmoi se rreziku i vetëm për sigurinë në Maqedoni është ai dhe mentori i tij, Nikolla Gruevski”,- u shpreh Petar Shilegovin nga LSDM.

Mirëpo, VMRO-DPMNE sërish ka ftuar LSDM-në që të heq dorë nga Deklaratat e përbashkëta të partive shqiptare, duke i ofruar për këmbim mbështetje për formimin e qeverisë.

“LSDM dhe Zoran Zaev duhet të marrin guximin dhe të hedhin poshtë platformën. E inkurajojmë sërish, le të kundërshtojë Platformë e Tiranës dhe VMRO-DPMNE do t’i japë mbështetje që të formojë qeveri”,- theksoi Darko Kostovski nga VMRO-DPMNE.

Në përpjekjen për të gjetur mënyrë se si të dilet nga status kuoja paszgjedhore ka qenë edhe takimi Zaev, Kasami.

“Ishte një takim në vazhdën e konsultimeve për debllokimin e institucioneve dhe vazhdimin e procese në drejtim që Maqedonia t’i rikthehet rrugëtimit euroatlantik”,- tha kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.

Këtë qëllim kishte edhe takimi i një dite më parë i Ahmetit me Zaevin.

Ndërkohë, presidenti Ivanov ndodhet në Baku të Azerbejxhanit, në një forum global. (Shpëtim Nuredini, TVM2)