Botë
Rajoni në gjendje të vështirë nga përmbytjet
19.05.2014 17:33
Vazhdon të rritet numri i viktimave nga përmbytjet që kanë përfshirë Bosnjë Hercegovinën, Serbinë dhe Kroacinë...

Vazhdon të rritet numri i viktimave nga përmbytjet që kanë përfshirë Bosnjë Hercegovinën, Serbinë dhe Kroacinë.
Në Krupanjë të Serbisë janë evidentuar 2 viktima të reja, ndërkaq nga Bosnja dhe Hercegovina nuk raportohet për viktima të tjera njerëzore.
Megjithatë, situata mbetet ende e vështirë në rajonin e Bjelinës, në Bosnjë, në degëzimin ku lumi Drina derdhet në lumin Sava, me ç’rast në disa vende ka pasur rrëshqitje të dheut dhe atë kryesisht në verilindje.
Ndërkaq, autoritetet paralajmërojnë dëme të tjera serioze edhe pse shumica e banorëve nga këto zona i kanë braktisur shtëpitë e tyre. Nga ana tjetër, Serbia rrezikohet nga dalja nga shtrati të lumit Sava, e që pritet shkatërrimi i termocentralit më të madh në vend.
Raportohet se rreth 2000 qytetarë, që jetojë në ndërtesat përreth hidrocentralit, janë bllokuar dhe kanë mbetur pa energji elektrike.
Në Kroaci, qyteti i Vukovarit është më i rrezikuar, ku nga vërshimet strehim kanë kërkuar rreth 3000 qytetarë.
“Gjithçka që kemi pasur tashmë është shkatërruar. Nuk kam asgjë, gjithçka është dëmtuar”, u shpreh një qytetarë nga Obrenovci.
“Kjo shtëpi pas meje që e shihni, është e imja. Për fat të mirë unë kam një banesë dhe tash jetoj atje, por më vjen keq për qytetarët, të cilët nuk kanë ku të shkojnë”, tha një qytetarë tjetër nga Obrenovci.
Kryeministri Nikolla Gruevski, në bisedë telefonike me udhëheqësin e Presidencën së Federatës së Bosnjë Hercegovinës, Bakir Izetbegoviq, është shprehur se Maqedonia është e gatshme ta ndihmojë Bosnjën dhe se do të vazhdojë me ndihmat humanitare dhe strategjike.
Ndërkaq, nga kontingjenti i Maqedonisë në Brenjovcë, kanë arritur sot 15 ushtarë dhe 25 persona nga direksioni për shpëtim dhe mbrojtje, të cilët kanë arritur të evakuojnë qindra qytetarë.
Ndërsa Qeveria e Maqedonisë ka vendosur të heq TVSH-në për donacionet në qytetet ballkanike të vërshuara nga ujërat dhe po ashtu mjetet e TVSH-së do të dërgohen si ndihma shtesë.
Përmes një organizimi të Organizatës së Kryqit të Kuq, për këto vende janë donuar ndihma humanitare në vlerë prej 45 mijë euro.
“Kjo është një ndihmë për popullatën e Serbisë, ku do të nisen 5 kamion ndihmë për Serbinë, ndërsa nesër do të nisen 3 kamion për Bosnjën, që t’i dalim në ndihmë, ndërsa deri në fund të javës, në mënyrë plotësuese, do të angazhohen edhe 4 kamionë për Bosnjën”, deklaroi nga Sait Saiti nga Kryqi i Kuq.
Edhe organizata tjera joqeveritare kanë grumbulluar ndihma humanitare për vendet e dëmtuara në qytetet e përmbytura nga vërshimet.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
