Botë

Holanda voton, Europa në ankth. Cila do të jetë e ardhmja e Unionit?

15.03.2017 20:52

Holandezët kanë nisur të hedhin votën e tyre në të parat e 3 zgjedhjeve kyçe për Eurozonën këtë vit...

Gara dominohet nga dy forca diametralisht të kundërta, partia e qendrës së djathtë e kryeministrit, Mark Rutte, si dhe ajo e Geert Uildersit, të mbështetur fort te platforma kundër emigrantëve. Rreth 13 milionë votues do të përcaktojnë se cila parti do të fitojë shumicën parlamentare. 
 
Rutte i cilësoi zgjedhjet parlamentare si një mundësi që u jepet votuesve “për të goditur populizmin e gabuar”. 
 
Uildersi zotohet ta nxjerrë Holandën nga Bashkimi Europian, të mbyllë xhamitë e të ndalojë Kuranin dhe thotë se Partia e tij Nacionaliste për Lirinë e ka lënë shenjën e saj në këtë proces zgjedhor.
 
Vendvotimet mbyllen në orën 21 dhe rezultatet e para priten pas mesnate. Franca shkon në votime muajin e ardhshëm, ndërsa Gjermania i mban zgjedhjet e përgjithshme në shtator.
 
Analistët mendojnë se një triumf i Uildersit në Holandë mund të paralajmërojë një fitore të Marine Le Penit, e cila gëzon që tani mbështetje të gjerë mes zgjedhësve francezë.
 
Në Gjermani, një tjetër parti e ekstremit të djathtë, “AFD”, pritet të sigurojë për herë të parë vende në Parlament.
 
Por, ndonëse një baticë populiste është vërtet e mundur në zgjedhjet holandeze, edhe një grup partish të tjera mund të dalin mirë, gjë që do ta linte të copëtuar politikën vendase.
 
Por për sa kohë asnjë forcë politike nuk dëshiron të hyjë në koalicion me Uildersin, mundësitë që ai të bëhet pjesë e qeverisë nuk janë shumë të mëdha.