Botë
Holanda i tha "jo" populizmit, fiton VVD, Europa merr frymë lirisht
16.03.2017 09:32
Europa është qetësuar pas rezultateve të zgjedhjeve parlamentare, që u mbajtën në Holandë, të cilat e hodhën poshtë frikën e fitores së linjës anti-BE...

Partia e kryeministrit, Mark Rutte, fitoi zgjedhjet, përkundër të gjitha sondazheve që flisnin për të kundërtën. Ai mori 31 deputetë nga 150. Partia e Lirisë, e politikanit anti-BE dhe anti-islamik, Gert Wilders, renditet e dyta me 19 deputetë, katër më shumë se zgjedhjet e fundit.
Ajo e ndan vendin e dytë me dy partitë të tjera, që kanë marrë po nga 19 deputetë. Në fjalimin e fitores, para mbështetësve të tij Rutte nuk i fshehu emocionet dhe foli për qëndrimin pro Bashkimit Europian.
“Është një mbrëmje e rëndësishme për të gjithë Europën, pas Brexit dhe zgjedhjeve amerikane, Holanda i tha jo populizmit”,- deklaroi kryetari i Partisë VVD, Mark Rutte.
Rutte i drejtohet kështu mandatit të tij të tretë, duke u konfirmuar si një prej politikanëve më të suksesshëm në Holandë. 50-vjeçari drejton partinë e tij VVD që prej 2006-s dhe vendin që prej 2010-s, duke qenë arkitekti i kapërcimit të krizës ekonomike. Por, ai duhet të gjejë tani partnerë të rinj koalicioni, sepse Partia Social-Demokrate pësoi humbjen më të madhe në historinë e saj dhe sipas prognozave ka humbur më tepër se 75%.
Ai mori edhe urimet e para nga zyrtarët në Bruksel dhe nga vendet e rëndësishme të Unionit, si Gjermania dhe Franca. Analistët thonë se ndarja e madhe e votës holandezë në këto zgjedhje duket se do t’i komplikojë disi bisedimet për koalicionin, por Wilders padyshim nuk është pjesë e ekuacionit, ndërsa Rutte me plot të drejtë do të kërkojë mandatin e tretë.
BELINDA KOKA-ADEMI
