MAQEDONI

Qeveria, BDI dhe VMRO akoma po negociojnë

19.05.2014 17:35

Ekipet negociuese të BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së, akoma punojnë në harmonizimin e platformave të tyre...

Ekipet negociuese të BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së, akoma punojnë në harmonizimin e platformave të tyre, me qëllim të përfshirjes së të gjitha projekteve të premtuara dhe së shpejti pritet të finalizojnë edhe ndarjet e të gjitha posteve, me të cilat do të udhëheqin dy partitë fituese në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kështu shprehet sekretari i  BDI-së, Abdilaqim Ademi.
 
“Meqë bëhet fjalë për një platformë voluminoze, sigurisht që duhet një kohë pak më e gjatë për harmonizimin e saj, me qëllim që të përfshihen të gjitha projektet e premtuara dhe të mos ketë ndonjë lëshim eventual. Kështu që për momentin ende jemi duke biseduar për harmonizimin e të njëjtës dhe pastaj do të pasojë faza e negociatave për çështjet e resorëve, jo vetëm të ministrave, zëvendësministrave dhe sekretarëve shtetëror, por edhe drejtorive të tjera”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdilaqim Ademi.
 
Në fazë të mëvonshme, duhet të konkretizohet forma e grupit ndërpartiak të punës, që do të përcjellë procesin euro-integrues të vendit, sqaron Ademi, duke shtuar se ky grup pritet të përbëhet prej 4 deri në 5 anëtarë.
 
Partia e integristëve deri tani ka drejtuar Ministrinë e Ekonomisë, atë të Ekologjisë, të Drejtësisë, Pushtetit Lokal dhe dy zëvendëskryeministra, njëri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa tjetri për euro-integrime. 
 
SANIJE KASAMI