Maqedoni

Ivanov për vizitë në Azerbejxhan

16.03.2017 12:14

Derisa vendi ndodhet në krizë politike, zgjidhja e së cilës pritet nga presidenti, Gjorge Ivanov...

Derisa vendi ndodhet në krizë politike, zgjidhja e së cilës pritet nga presidenti, Gjorge Ivanov, ky i fundit aktualisht po qëndron për vizitë pune në Baku të Azerbejxhanit, si pjesëmarrës në Forumin global “Baku 5”, në organizim të Qendrës Ndërkombëtare "Nizami Ganxhavi".
 
Siç njoftuan nga kabineti i presidentit, ai do të mbajë fjalim në sesionin presidencial të forumit me temë "Ardhmëria e marrëdhënieve ndërkombëtare: fuqi dhe interesa".
 
Gjatë vizitës është paraparë që presidenti Ivanov të realizojë takim bilateral me presidentin e Azerbejxhanit, Ilham Alijev, si dhe shumë takime bilaterale me pjesëmarrësit në forum, ku marrin pjesë mbi 100 ish-presidentë dhe presidentë aktualë, kryeministra dhe ministra.
 
“Midis temave të tjera të diskutimit, në forumin e sivjetmë janë: ardhmëria e Europës, roli i Kinës në marrëdhëniet ndërkombëtare, marrëdhëniet midis Rusisë dhe Perëndimit, sfidat në përballjen me terrorizmin modern, nëse ekstremizmi dhe populizmi janë kërcënimi më i madh për siguri, ardhmëria e marrëdhënieve transatlantike, Aleanca midis Perëndimit dhe shteteve myslimane”,- theksohet në kumtesë.