Maqedoni

Maqedoni, 16 vjetori i konfliktit të vitit 2001

16.03.2017 12:32

Sot shënohet 16 vjetori i luftës së vitit 2001 mes UÇK-së dhe forcave maqedonase të sigurisë...

Më 16 mars të vitit 2001, përmes një komunikate për opinion nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, u bë e ditur se shqiptarët e Maqedonisë rreshtohen nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, për të luftuar për të drejtat e mohuara kombëtare e njerëzore, që assesi nuk pranonte t’ i realizojë politika e atëhershme zyrtare maqedonase.
 
Kushtetuta e vitit 1991 ishte miratuar pa votat e deputetëve shqiptarë. Po ashtu në këtë kohë Maqedonia ishte e përfshirë nga: papunësia, varfëria e skajshme, korrupsioni, krimi ekonomik dhe krizat e njëpasnjëshme ekonomike, që kishin marrë përmasa të mëdha. 
 
Gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare kanë rënë 105 persona, ndërsa qindra të tjerë u plagosën. Po ashtu u shkatërruan shumica e fshatrave e lokaliteteve të përfshira në luftë nga Haraçina e Shkupit deri në Sllupçan të Likovës, si dhe në fshatrat e rajonit të Sharrit. Ndërsa për masakrën në fshatin Luboten, zyrtari i lartë i atëhershëm i Policisë, Johan Tarçullovski, u dënua në Tribunalin e Hagës. Pati të vrarë dhe të plagosur edhe në radhët e forcave maqedonase. 
 
Pas gjashtë muaj luftime, me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar, më 13 gusht të vitit 2001 u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit, e cila u dha fund luftimeve dhe parashihte avancimin e të drejtave politike e kombëtare të shqiptarëve. 
 
Duke hasur në vështirësi për implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, 16 vite më pas, partitë politike shqiptare në Maqedoni aktualisht kanë arritur të hartojnë një platformë të përbashkët, e cila po has në vështirësi për t’u implementuar, pasi aktualisht vendi ndodhet në krizë politike.