MAQEDONI

Gruevki merr mandatin për qeverinë e re

19.05.2014 17:37

Presidenti Gjorge Ivanov ka dorëzuar mandatin për formimin e Qeverisë së re, mandatarit Nikolla Gruevski...

Presidenti Gjorge Ivanov ka dorëzuar  mandatin për formimin e Qeverisë së re, mandatarit Nikolla Gruevski, i cili fitoi shumicën e mandateve të deputetëve në Kuvend.
 
Presidenti Gjorge Ivanov, duke respektuar kushtëzimet kohore për formimin e Qeverisë së re, e cila pritet të formohet mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, zyrtarisht i ka dorëzuar mandatin para skadimit të afatit për formimin e Qeverisë së re, që është nesër. 
 
Sipas Kushtetutës, presidenti i Maqedonisë, nga konstituimi i Kuvendit, është i detyruar që në afat kohor prej 10 ditësh, mandatin për formim të Qeverisë së re, t’ia besojë partisë që ka fituar numrin më të madh të mandateve në Kuvend.
 
Me pranimin e mandatit fillon të rrjedhë afati prej 20 ditësh, kohë kjo që mandatari e ka në dispozicion për të formuar përbërjen qeveritare dhe programin qeveritar,  të cilin pastaj do ta prezantojë para deputetëve në Kuvend. Kuvendi e zgjedh Qeverinë me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve. 
 
ZEJXHANE OSMANI