Maqedoni
Raporti i IDNJ-së për Këshillin Gjyqësor: Jotransparent, joefektiv dhe pa llogaridhënie
16.03.2017 15:37
Këshilli Gjyqësor gjatë periudhës nëntor 2016 dhe janar 2017 ka bërë lëshime të mëdha në sferën e transparencës...

Këshilli Gjyqësor gjatë periudhës nëntor 2016 dhe janar 2017 ka bërë lëshime të mëdha në sferën e transparencës, llogaridhënies dhe efektivitetit të funksionimit të tij.
“Më së shumti mangësi ka në publikimin e procesverbaleve të mbledhjeve, në hartimin e raporteve tremujore. Në aspektin e llogaridhënies, Këshilli Gjyqësor gjatë kësaj periudhe aspak nuk ka mbajtur konferenca dhe deklarata, ndërsa kryetari i Këshillit ka qenë i pranishëm vetëm në disa debate televizive. Mangësia më e madhe qëndron në atë se ueb faqja e Këshillit Gjyqësor pothuajse fare nuk i përditëson informacionet”,- thuhet në raportin e Institutit për të Drejtat e Njeriut.
Mangësitë më të mëdha janë në sferën e përzgjedhjes së gjykatësve me mënyrën se kush i përzgjedh dhe në çfarë mënyre përzgjidhen, duke futur këtu edhe nivelin e ulët të respektimit të të drejtave të njeriut në procedurën e aplikuar.
“Gjatë monitorimit tonë kemi vërejtur se mangësitë më të mëdha kanë të bëjnë me mënyrën se si përzgjidhen gjykatësit, ngaqë nuk dihet se kush dhe në çfarë mënyre përzgjidhen ato. Më së shumti mangësi janë vërejtur në sferën e respektimit të të drejtave të njeriut dhe atë në procedurën korrekte. Gjithashtu duhet të intervenohet edhe në përmirësimin e lirisë së shprehjes, e cila duhet të jetë më në nivel, me qëllim që mediat të arrijnë të informojnë në nivel të duhur”,- deklaroi kryetarja e Institutit për të Drejtat e Njeriut, Margarita Caca Nikolovska.
Ambasadori, Carls Garret, thotë se Gjyqësori dhe reformat në të paraqesin themelin e funksionimit të mirë të Maqedonisë si shtet.
“Shpeshherë kam folur për reformat që duhet të bëhen në Gjyqësor, por këtë e kërkojnë edhe raportet ndërkombëtare. Me realizimin e këtyre projekteve të cilat kanë për qëllim të vëzhgojnë punën e Këshillit Gjyqësor, ne synojmë të vëmë kontakte bashkëpunimi ndërmjet Këshillit Gjyqësor dhe organizatave joqeveritare. Nëpërmjet këtyre projekteve ne hapim mundësi diskutimi se si duhet të ndryshohen gjërat në Maqedoni”,- theksoi ambasadori i Britanisë së Madhe në RM, Carls Garret.
Projekti u realizua në kuadër të projektit “Monitorimi i shtuar publik mbi punën e Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë”, i mbështetur nga Ambasada e Britanisë në Shkup. Opinionet dhe qëndrimet e prezantuara në këtë publikim i pasqyrojnë opinionet dhe qëndrimet e autorëve.
GAZMEND REXHEPI
