Maqedoni
Zhbogar: Ju duhet qeveri e fokusuar në reformat prioritare
16.03.2017 15:56
BE qartë është deklaruar se çdo vend duhet të fokusohet në rrugën e tij eurointegruese...

Ju duhet një qeveri që do të fillojë procesin reformues, dyert e BE-së janë të hapura, ka deklaruar euroambasadori, Samjuel Zhbogar.
“Kur shikoni Marrëveshjen e Përzhinës, kuptoni se ishte një proces i vështirë, por që solli në një zgjidhje. Ende duhet të përmbushen obligime të caktuara, para së gjithash janë reformat prioritare. Shpresoj që qeveria e ardhshme të përqendrohet në përmbushjen e reformave”,- deklaroi shefi i misionit të BE-së në RM, Samjuel Zhbogar.
Duke komentuar protestat që tashmë 18 ditë po mbahen në qytetet e vendit, Zhbogar potencon se e drejta për protesta është e pakontestueshme sa kohë që ato janë të qeta.
“E drejta për protesta është e drejtë e pakontestueshme për sa kohë që ato janë të qeta dhe nuk ka sulme ndaj gazetarëve apo gjuhë të urrejtjes. Është me rëndësi që politikanët të dëgjojnë demonstruesit, vendimet merren në institucione dhe jo në rrugë”,- u shpreh shefi i misionit të BE-së në RM, Samjuel Zhbogar.
Zhbogar, ndërkohë, ka hedhur poshtë informacionet për vizitën e eurokomisionerit Hahn të martën në Maqedoni. Nuk ka një konfirmim zyrtar, por në Bruksel ka shumë interes për atë që po ndodh në Maqedoni, ka potencuar euroambasadori.
REJHANE BUSHI-METAJ
