Maqedoni
145.000 të punësuar në sektorin publik, rritet përfaqësimi i shqiptarëve në administratë. Davitkovski: sektori publik, i stërngarkuar
16.03.2017 16:13
Gjithsej 145 mijë të punësuar numëron sektori publik i vendit.

Të dhënat e fundit të raportit vjetor të Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës tregojnë se 129 mijë e 653 të punësuar në 1.291 institucione publike kanë marrë rroga drejtpërsëdrejti nga buxheti i shtetit, ndërsa të tjerët nga shoqata aksionare dhe ndërmarrje të ndryshme publike.
Në 2016-n, përmes transformimeve të vendeve të punës është rritur për 1 për qind numri i të punësuarve në arsim, spitale, MPB dhe ARM, ndërsa përfaqësimi i drejtë i etniteteve nga viti në vit po rritet.
“Avancohet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat krahasuar me vitin e kaluar. 70% e të punësuarve kanë qenë përfaqësues të etnitetit shqiptar. Ky është trendi në rritje nga viti në vit. Nëse gjatë 2007-s përfaqësimi i shqiptarëve në administratë ka qenë 10%, tani është 20%”,- deklaroi ministrja e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Marta Tomovska.
Profesori dhe njëkohësisht përpiluesi i këtij raporti, Borçe Davitkovski, thotë se shpenzuesi më i madh i parave të shtetit është sektori publik dhe kjo gjë duhet ndryshuar në të ardhmen.
“Në bazë të standardeve botërore, sektori publik është i stërngarkuar. Mbi 50% e buxhetit shkon për pagat e të punësuarve në sektorin publik. Deri tani asnjë buxhet nuk ka qenë me tendencë për zhvillim të infrastrukturës rrugore, hidrocentrale e tjerë, por ka pasur për synim pagat e të punësuarve në sektorit publik. Para të cilat nuk kthehen në arkën e shtetit”,- theksoi përpiluesi i raportit, Borçe Davitkovsi.
Ky raport gjithashtu tregon se mosha mesatare e të punësuarve lëviz prej 42 deri më 45 vjet, ndërsa rreth 50 për qind në sektorin publik janë gra. Deri tani janë sistemuar në vendet e tyre të punës mbi 1000 punësuar përmes Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.
REXHEP QAMILI
