Botë

Kthehet frika në Francë, sulm në një shkollë, tetë të plagosur

16.03.2017 16:51

Dy sulme me armë zjarri kanë goditur paraditen e sotme Francën...

Tetë persona janë plagosur nga të shtënat me armë në një shkollë në qytetin Grasse, në jug të Francës, bën të ditur Ministria e Brendshme. Edhe pse paraprakisht autoritetet aktivizuan aplikacionin telefonik paralajmërues për sulme terroriste, më pas konfirmuan se ngjarja nuk ka të bëjë me terrorizmin.
 
Një adoleshent 17-vjeçar, i cili mbante një pushkë, dy armë dhe dy granata, është arrestuar menjëherë pas incidentit, studenti i dytë është në kërkim. 
 
Një tjetër incident ka tronditur Parisin. Një bombë në letër ka shpërthyer në zyrën e Fondit Monetar Ndërkombëtar, duke plagosur në duar dhe fytyrë punonjësin që e ka hapur atë. Stafi i Zyrës franceze të FMN-së është evakuuar menjëherë.
 
Drejtorja e FMN-së, Christine Lagarde, e dënoi atë që e cilësoi një akt frikacak të dhunës kundër stafit të FMN-së. Letra bombë vjen pas një tjetër pakoje me eksploziv që dje iu dërgua ministrit gjerman të Financave, Volfgang Schaeuble.
 
Grupi grek i ekstremit të majtë “Komploti i qelizave të zjarrit” tha se ai e ka dërguar pajisjen në Gjermani, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar nëse dërgesat shpërthyese në Gjermani dhe Francë kanë lidhje me njëra-tjetrën. Franca vijon të jetë në gjendje emergjence pas sulmit vdekjeprurës të 18 muajve më parë.
 
BELINDA KOKA-ADEMI