Maqedoni

Paraburgimi për Sead Koçan, të punësuarit në protesta para Apelit; VMRO-DPMNE kërcënon Gjykatën: nuk do të rrimë duarkryq, dikush do të përgjigjet; LSDM: shkelësit e ligjit duhet të bartin përgjegjësi; Akuzat e VMRO-DPMNE-së, PPS: i kemi votat e deputetëv

16.03.2017 17:27

Me parullat “Drejtësi për Seadin”, “LSDM nëpërmjet PPS-së i vret mediat” dhe “LSDM kundër boshnjakëve të Maqedonisë”...

Me parullat “Drejtësi për Seadin”, “LSDM nëpërmjet PPS-së i vret mediat” dhe “LSDM kundër boshnjakëve të Maqedonisë”, të punësuarit e Kompanisë “Transmet”, të Televizionit Nova dhe përfaqësuesit e Bashkësisë së Boshnjakëve protestuan para Gjykatës së Apelit kundër masës së paraburgimit për pronarin e tyre, Sead Koçan.
 
Policia ka lëshuar fletarrest ndërkombëtar, pasi që Koçan shtatë ditë është i pakapshëm për organet e rendit.  
 
“U mblodhëm të gjithë  këtu, unë si deputet i komunitetit boshnjak nga Shoqata ABAC dhe jo vetëm si deputet. Ne donim protestë të qetë, që të kuptohet se ne nuk bëjmë presion ndaj askujt apo ndaj Gjykatës”,- tha deputeti, Zekir Ramkiloviq.
 
“Veprimin e pabazë të Prokurorisë Publik Speciale, TV Nova e konsideron si një sulm të drejtpërdrejtë mbi mediat”,- theksoi redaktorja e TV NOVA-s, Biljana Vasileva  Trandafilova.
 
Edhe VMRO-DPMNE ka reaguar për rastin “Koçan”, madje duke  akuzuar LSDM-në se përmes Prokurorisë Publike Speciale tenton të ngulfasë median e lirë.
 
Në kumtesën partiake VMRO-DPMNE  përkujton gjykatësit se duhet të punojnë sipas Kushtetutës dhe nuk guxojnë që të transformohen në mjet politik të LSDM-së dhe PPS-së.
 
“Për çdo punë të paligjshme do të ketë përgjegjësi, të gjithë në këtë shtet janë të barabartë përpara ligjit, përfshirë edhe gjykatësit. Nëse eventualisht gjykatësit i nënshtrohen presionit në rastin me pronarin e medias, VMRO-DPMNE nuk do të mbetet pa reagim”,- thonë nga VMRO-DPMNE.
 
Është kundërpërgjigjur LSDM. Nga partia e Zaevit kërkojnë të ndalet menjëherë keqpërdorimi i njerëzve për protesta dhe përkujtojnë se çdokush që ka punuar në kundërshtim me ligjin do të duhet të bartë përgjegjësi.
 
“Ranë maskat e Gruevskit dhe VMRO-DPMNE-së. Komunikata në të cilën VMRO-DPMNE e mbron partnerin medial dhe të biznesit, Sead Koçan, vërteton se gjithçka që bën kjo parti ka një qëllim të vetë, mbrojtjen e krimeve dhe pasurive të tyre. Udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së duhet menjëherë të ndalojë me keqpërdorimin e njerëzve duke i dërguar në protesta, madje përfshirë këtu fëmijë dhe nxënës. Të ndalojnë dhe të mos provokojnë incidente, konflikte dhe dhunë, si dhe të mundësojnë transferim të qetë të pushtetit”,- thuhet në reagimin e LSDM-së.
 
Ndaj akuzave të VMRO-së ka reaguar edhe PPS.
 
“Ju përkujtojmë se Prokuroria Publike Speciale, si institucion i pavarur dhe profesional, është formuar me ligjin për të cilin në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë kanë votuar gjithsej 111 deputetë, duke përfshirë edhe deputetët nga VMRO-DPMNE”,- thonë nga PPS.
 
Sead Koçan, bashkë me Vasilije Aviroviq dhe Safet Batiq, janë të dyshuar për falsifikim të dokumenteve me anë të të cilave kanë fituar tender në vlerë prej 17 milionë euro nga ELEM për gjurmim të qymyrit dhe mbetjeve nga Miniera e Suvodollit.
 
SANIJE DURAKU