Maqedoni

Mbledhja e Kuvendit, LSDM: të premten dorëzojmë nismën; VMRO: dënoni “Platformën e Tiranës”; Kriza institucionale, Ahmeti: mos ta kthejmë në krizë ndëretnike

16.03.2017 17:45

Asnjë nismë nuk është dorëzuar në Kuvendin republikan për vazhdimin e seancës konstituive...

Asnjë nismë nuk është dorëzuar në Kuvendin republikan për vazhdimin e seancës konstituive ku duhet të zgjidhet Komisioni për zgjedhje dhe emërime dhe kryeparlamentari dhe zëvendësit e tij. 
 
Burime nga Kuvendi konfirmojnë se një nismë e tillë nuk është dorëzuar dhe as arkivuar gjatë ditës së sotme.
 
Nga LSDM thonë se nisma do të dorëzohet gjatë ditës së premte dhe se nismës i bashkëngjiten të gjithë deputetët e shumicës së re parlamentare, 67 gjithsej.
 
LSDM edhe njëherë ka ftuar VMRO-DPMNE-në që të pranojë se është opozitë dhe të mundësojë transferin e qetë të pushtetit.
 
“Institucionet duhet të formohen menjëherë dhe shteti duhet të funksionojë sipas vullnetit të shumicës së qytetarëve. Nëse VMRO-DPMNE dëshiron shtet unitar dhe Maqedoni sovrane, duhet që menjëherë të mbështesë programin e qeverisë së re reformuese, të pranojë që është opozitë dhe të mundësojë transfer të qetë të pushtetit”,– thuhet në kumtesën e LSDM-së.
 
Mirëpo, VMRO-DPMNE ka ripërsëritur qëndrimin e saj se do të mbështeste qeverinë e Zaevit nëse ai paraprakisht e dënon deklaratën e përbashkët të partive shqiptare.
 
“Zoran Zaev duhet që sa më shpejt, qartë dhe zëshëm të hedh poshtë Platformën tiranase dhe të heq dorë nga realizimi i elementeve që përmban ajo”,– thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së, duke shtuar se alternativë tjetër për zgjidhjen e krizës politike mbeten zgjedhjet e reja parlamentare, të cilat do të mbaheshin së bashku me ato lokale.
 
Në një takim me ambasadorin slloven, Milan Jazbec, lideri i BDI-së, Ahmeti, thotë se partitë po gjejnë mënyrën për inicimin e koordinimit parlamentar në mënyrë që të vazhdojë dhe përfundojë seanca konstitutive e Kuvendit.
 
“Kryetari i ri i zgjedhur i Kuvendit pas përfundimit të asaj seance duhet të njoftojë institucionin e presidentit të shtetit për shumicën e re parlamentare dhe të kërkon ndarjen e mandatit për të formuar qeverinë”,- ka deklaruar Ahmeti, duke përsëritur se kriza politike dhe institucionale nuk guxon  të kthehet në krizë ndëretnike dhe ftoi të gjitha palët që mos të kontribuojnë në këtë drejtim.
 
SHPËTIM NUREDINI