Maqedoni
Samiti i Sarajevës, Dimitriev: jo ndërhyrje në punët e brendshme të shteteve; Samiti i Sarajevës, Hahn: BE, e përkushtuar në integrimin e Ballkanit Perëndimor
16.03.2017 18:15
Kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për herë të parë u ulën bashkë në Samitin e përbashkët në Sarajevë...

U fol për integrimet europiane, zhvillimin e ekonomisë, bashkëpunimin e të rinjve dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Kryeministri i Maqedonisë, Emil Dimitriev, tha se tensionet në rritje në Ballkanin Perëndimor kanë ndikim të drejtpërdrejtë në BE.
Dimitriev u shpreh për bashkëpunim, por jo edhe ndërhyrje në punët e brendshme të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
“Rajoni do të duhet të konsiderohet si prioritet i lartë strategjik i Bashkimit Europian. Procesi i bllokuar integrues stimulon jostabilitet në rajon, ndërkaq integrimi në BE është fuqia më kohezive. Dua të theksoj se për realizimin e projekteve të përbashkëta të cilat sjellin benefit për qytetarët, e një rëndësie kruciale është sigurimi i një klime të mirë politike midis shteteve, raportet e bashkëpunimit në vend të përzierjes në punët e brendshme dhe respektimi i fuqishëm i sovranitetit dhe integritetit të çdo shteti. Vetëm kështu rajoni do të shkojë para politikisht dhe ekonomikisht”,- theksoi kryeministri teknik, Emil Dimitriev.
Eurokomisari për zgjerim të BE-së, Johanes Han, theksoi përkushtimin e BE-së për të mbështetur përpjekjet integruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Han tha se këto shtete do të duhet të fokusohen në zhvillimin ekonomik të rajonit, duke premtuar 80 mijë vende pune.
“Ka ide të disa kryeministrave për atë që unë e quaj treg i përbashkët i rajonit, t’i heqim barrierat, qarkullimi të jetë i lirë i të mirave, pranimi i diplomave etj. Kjo do të thotë se në bazë afatshkurtër dhe afatgjatë do të hapim 80 mijë vende të reja pune në rajon. Gjithashtu ua vërtetova seriozitetin dhe angazhimin e mëtejmë të BE-së për integrimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”,- u shpreh eurokomisari për zgjerim të BE-së, Johanes Han.
Stabiliteti, paqja dhe siguria janë kyçe për zhvillimin ekonomik, social dhe politik, dhe kryeministrat e kanë për obligim që t’i mbajnë vendet në rrugën evropiane, ka porositur nikoqiri i Samitit, kryeministri i Bosnjë-Hercegovinës, Denis Zvizdiq.
Takimi rajonal është pjesë e procesit të Berlinit e që parapriu takimin të radhës në korrik në Trieste.
MERAL ISMAILI
