Maqedoni
Përfshirja e fëmijëve në protesta, reagojnë prindërit: mos na politizoni fëmijët; Avokati i Popullit dhe OJQ-të: fëmijët, larg aktiviteteve politike
16.03.2017 20:10
Në Gjimnazin e Prilepit “Mirçe Acev”, sot prindërit kanë protestuar kundër politizimit të nxënësve nga drejtori i Shkollës, Kiril Nikollovski...

Prindërit kërkojnë përgjegjësi ndaj drejtorit dhe mbledhje urgjente të Këshillit të prindërve, në të cilën do të sqarohen se me çfarë të drejte drejtori Nikollovski i fton fëmijët e tyre të dalin në rrugë.
Sipas prindërve, nxënësit lëshohen më herët nga mësimi dhe profesorët publikisht iu thonë të shkojnë në protesta.
Avokati i Popullit e dënon thirrjet e drejtorëve dhe kryetarëve të komunave për pjesëmarrjen e nxënësve në protesta.
“Inspektorati i Arsimit menjëherë të ndërmarrë masa që fëmijët të lihen larg aktiviteteve politike”,- apelojnë nga Zyra e Avokatit të Popullit, nga e cila kanë iniciuar edhe procedurë me kërkesë të prindërve.
Ka reaguar edhe Komiteti i Helsinkit dhe OJQ “Civil”, nga ku kërkojnë që organet kompetente të marrin masa sipas ligjit, pasi në mënyrë flagrante po shkelen të drejtat e fëmijëve.
MASh-i paralajmëron hetim të rastit nga Inspektorati Arsimor dhe marrjen e masave ndaj drejtorit të gjimnazit të Prilepit.
