MAQEDONI
LSDM formon qeveri në hije
19.05.2014 18:07
Formimi i Qeverisë në hije nga ana e LSDM-së pa pjesëmarrjen e saj në Kuvend...

Formimi i Qeverisë në hije nga ana e LSDM-së pa pjesëmarrjen e saj në Kuvend, sipas analistëve politik në vend, nuk do të ketë ndonjë efekt të posaçëm dhe ndikim në krijimin e politikave të Shtetit, përpos eksponimit të figurave partiake, të cilët do të emërohen si ministra të Qeverisë eventuale në hije.
Eksperti juridik, Bajram Pollozhani, vlerëson se në këtë rast efekti do të arrihej vetëm përmes praktikimit të krizave të tjera, në demokraci të rrugëve, pa dëgjueshmëri të qytetarëve dhe iniciativa të ngjashme.
“Por, unë mendoj se roli i një partie opozitare në Qeveri në hije, është i fuqishëm kur është parti opozitare, duke ardhur në Parlament, duke participuar në punën e Parlamentit, duke dhënë iniciativa, duke kritikuar, kurse ministrat në hije të atij subjekti politik në opozitë, kanë informata më të hollësishme në fushat përkatëse dhe shpesh paraqitet për të diskredituar politikat e paqëndrueshme të qeverisjes mazhoritare dhe në këtë bazë, duke joshur opinionin në pikëpamje konvertive, në drejtim të zgjedhjeve të ardhshme për praktikën parlamentare, duke krijuar kriza parlamentare në refuzimin e konstruktivitetit, në miratimin e ligjeve që kërkon mazhoranca”, deklaroi eksperti juridik, Bajram Pollozhani.
Ndërsa analisti politik, Vlladimir Misev, vlerëson se është vështirë që të ketë indikator për matjen e ndikimit të Qeverisë në hije, por gjithsesi efikasiteti do të ishte më i madh në qoftë se LSDM do të ishte pjesë e institucioneve të sistemit.
“Kur nuk është pjesë e atyre institucioneve, ndikimi i tyre do të jetë i kufizuar në aspektin e propozimeve ligjore dhe iniciativave në të cilat formalisht do të kishin të drejtë. Qëllimi i formimit të një Qeverie të këtillë në hije, mendoj se paraqet profilim të autoriteteve dhe kuadrove, të cilët në të ardhmen do të ishin të njohur për opinionin, para së gjithash për votuesit e bllokut politik maqedonas. Njëkohësisht unë mendoj se qëllimi është që të bëjë edhe më shumë anëtarë të kënaqur në radhët e saj partiake”, theksoi analisti politik, Vlladimir Misev.
Sipas analistit Misev,iniciativa për formimin e një Qeverie në hije, është vlerësim politik i partisë më të madhe opozitare dhe ai vlerësim duhet të merret parasysh dhe të vlerësohet me seriozitet nga të gjithë aktorët politik në Maqedoni.
MEFAIL ISMAILI
