Botë

Francë, Marine Le Pen favorite në garën presidenciale

17.03.2017 14:12

Pritjes për emrat e kandidatëve që do të përballen mes tyre për presidencën franceze, po i vjen fundi....

Organizatoret përgatiten të publikojnë listën përfundimtare ndonëse lojtarët e mëdhenj Marine Le Pen, Emmanuel Macron dhe Francois Fillon janë të sigurtë se do ta gjejnë emrin ne fletën e votimit.
 
Sondazhet e opinionit vazhdojnë t’i japin lideres së frontit nacional shanset më të mëdha për fitore në raundin e parë të 23 prillit, por thonë se në 7 maj pastaj, ajo do ta humbe betejën me favoritin Macron.
 
Analistet politike mendojnë se ndonëse Le Pen do të ketë kryesimin në fillim, votuesit e së majtës e së djathtës do të bashkojnë forcat për të mbështetur kundërshtarin e saj në raundin e dytë, duke i bllokuar kështu 48 vjeçares rrugën drejt pushtetit.
 
Por eksperti i politikës franceze, Bruno Cautres, mendon se pavarësisht skandaleve që kanë pllakosur Fillonin, duke i dëmtuar rëndë shanset e triumfit edhe pse deri vonë kryesonte garën për çelësat e Elize, ai nuk duhet konsideruar automatikisht jashtë lojës. nga ana tjetër, Cautres nuk ndan bindjen e shumicës se kur të dalin përpara kutisë se votimit, simpatizantët do të arrijnë t`i kapërcejnë linjat partiake. 
 
“Ndryshimi mes situatës sot dhe asaj përpara gjashtë muajve ose një viti është se tani edhe specialistët më të mëdhenj që bëjnë parashikime elektorale nuk e thonë dot me plot gojën se mundësia e fitores së Marine Le Pen është zero”, u shpreh Bruno Cautres, ekspert i politikës franceze.
 
Sipas mediave ndërkombëtare, edhe pas humbjes së Gert Wildersit në Hollandë, shanset e Le Penit për fitore nuk janë shembur, ndërsa është ende herët që të flitet për një disfatë të populizmit në europë./Top Channel